A do t’i mbijetojë Amerika rebelimit?

schedule16:30 - 18 Janar, 2021

schedule 16:30 - 18 Janar, 2021

Nga Janusz Bugajski “The Hill

Megjithëse presidenti i zgjedhur Joe Biden, po shpall unitetin si qëllimin e tij kryesor, sulmi i turmës në Kongresin Amerikan më 6 janar, mund të jetë paralajmëruesi i një rrëshqitje të përshpejtuar drejt përçarjes politike dhe shkatërrimit të mundshëm të institucioneve.

Në skenarin më optimist, kryengritja e dështuar shmangu Amerikën nga pragu i kaosit dhe madje edhe luftës civile. Sulmi mbi Kongresi, nuk arriti t’i frikësojë ligjvënësit deri në pikën që të anulonin rezultatet e zgjedhjeve presidenciale. Pavarësisht nga mungesa fillestare e Policisë së Capitol Hill, rendi në fund u rivendos, duke penguar rrëmbimin apo vrasjen e mundshme të ligjvënësve.

Sipas tezës pozitive, shumica dërrmuese e amerikanëve do të dënojnë aktin e kryengritësve, dhe shumica e votuesve të Donald Trump do të pranojnë me turp legjitimitetin e zgjedhjes së Joe Biden si presidenti. Ndërkohë, ndikimi politik i Trump do të bjerë ndjeshëm, ndërsa Partia Republikane do të rikthehet në thelbin e saj tradicional, duke u larguar nga ekstremet e saj me natyrë populiste.

Por, leksioni kryesor i historisë është se për të parandaluar rezultatin më të keq, duhet më së pari t`a imagjinojmë atë. Në një skenar pesimist alternativ, ndarjet e thella socio-politike të Amerikës rezultojnë të papajtueshme.

Institucionet federale dhe 3 degët e qeverisë humbasin legjitimitetin e tyre midis një pakice të konsiderueshme të popullsisë të nxitur nga Trump dhe aleatët e tij, të cilët do të vazhdojnë të kontrollojnë Partinë Republikane ose pasardhësin e saj politik.

Demokracia amerikane nuk mund të funksionojë dot, nëse njëra nga dy partitë e saj të mëdha do ta refuzojë rolin e opozitës besnike, dhe do të synojë të paralizojë vendimet e qeverisë federale. Polarizimi kombëtar mund të zgjerohet akoma më tej nëse demokratët e ardhshëm do të spostohen më shumë në të majtë, pavarësisht nga opozita qendrore dhe konservatore,edhe nëse administrata e re nuk mund të punojë me republikanët në Kongres.

Edhe demokratët e majtë “progresistë”, mund të mbahen përgjegjës për përçarjet në përshkallëzim që po pëson shoqëria amerikane, pasi kanë toleruar elementë të dhunshëm të ANTIFA-s, dhe promovuar narrativën e rrezikshme të “mos-financimit të policisë”, duke i dhënë mundësi Trumpit t`a portretizojë administratën e ardhshme si shërbëtore të socialistëve radikalë.

Konfliktet e dhunshme mund të shpërthejnë edhe atje ku të dy palët besojnë se po mbrojnë demokracinë. Kryengritësit që sulmuan Kongresin, ishin të bindur se votat e tyre ishin vjedhur, dhe se udhëheqësit e tyre po largoheshin padrejtësisht nga detyrat që mbanin.

Nëse ata nuk mund të binden për të kundërtën, atëherë ndjenja e rebelimit do të vazhdojë që të vlojë. Kaosi politik do të inkurajojë milicitë anti-qeveritare dhe luftëtarët e rrugës, qoftë nga e majta socialiste apo e djathta nacionaliste.

Nëse lëvizje të tilla do të inkurajohen dhe manipulohen nga demagogët,do të përhapen përplasjet e dhunshme, të cilat mund të shoqërohen me sulme me bomba dhe akte terroriste. Në mesin e një konfliktit të armatosur, republikanët dhe demokratët mund të kërkonin të dëbonin kundërshtarët e tyre politikë nga disa qeveri apo parlamente nëpër shtete të veçanta.

Përhapja e rebelimit dhe paligjshmërisë, mund të përdoret nga udhëheqësit e djathtë ose të majtë për të rekrutuar policinë lokale në rivendosjen e rendit dhe ligjit, si një fasadë për krijimin e administratave “ideologjikisht të pastra”.

Autoritetet federale do të ishin shumë të paralizuara për të ndërhyrë, ose të paafta për të trajtuar disa kriza të njëkohshme. Kryengritjet lokale, mund të gjallërojnë thirrjet për ndarjen e vendit. Nëse do të ketë gjakderdhje masive, ndarja territoriale dhe shkëmbimet e popullsisë midis shumicës së shteteve blu dhe të kuqe, mund të shfaqeshin si një zgjidhje e mundshme që mund të rivendosë paqen dhe qeveritë funksionale.

Mund të ketë opsione të ndryshme të ndarjes, qoftë në një konfederatë të lirë me një qeveri të dobët qendrore, apo ndarja e plotë e disa shteteve dhe krijimi i dy vendeve të reja në Amerikën e Veriut. Edhe pse një skenar i tillë mund të hidhet poshtë si i pamundur, sjellja njerëzore në kushtet e ankthit ekonomik, kaosit politik dhe paranojës sociale, padyshim që e tejkalon imagjinatën tonë.

Ne nuk mund të supozojmë se leksionet e përgjakshme të shekullit XX, nga shkëputjet e dhunshme shtetërore, luftërat botërore, Holokaustit dhe Gulagëve, janë mësime dhe nuk do të imitohen më gjatë shekullit XXI.

As demokracia përfaqësuese dhe as integriteti shtetëror, nuk mund të merren si të mirëqena, dhe madje edhe demokracitë më të forta do të testohen. Ne do të zbulojmë gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm qëndrueshmërinë e institucioneve të Amerikës, angazhimin e politikanëve të zgjedhur, dhe besimin e qytetarëve amerikanë në një SHBA unitare dhe demokratike.

Shënim:Janusz Bugajski, është bashkëpunëtor në Fondacionin Xhejmtaun në Uashington. Libri i tij i suksesshëm titullohet “Shteti i dështuar:Planifikimi për çarjen e Rusisë”. / Nga Alket Goce për abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!