A do të shtyhet orari i votimit? Përgjigja nga anëtarja e KQZ

schedule18:45 - 30 Qershor, 2019

schedule 18:45 - 30 Qershor, 2019

Në KQZ po kalohet një ditë e qetë dhe janë mbajtur vetëm 2 mbledhje për shkak se nuk ka patur problematikë të shënuar gjatë procesit zgjedhor, raporton gazetarja e ABC News Esjona Konomi. Gjithsesi ka ende vendime për tu marrë nga Komisioni qendror zgjedhor. Ka një panoramë për tu shqyrtuar sic është pjesëmarrja në këto votime. Znj. Rezarta Bitri anëtare e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve na dha një vlerësim nën këndvështrimin e saj se si po paraqitet kjo ditë zgjedhore.

Esjona Konomi: Kemi 7 qendra votimi në qarkun Shkodër që nuk kanë votuar. Si anëtare e komisionit si është perceptuar kjo problematikë në mbarëvajtjen e këtij procesi zgjedhor?

Rezarta Bitri: NË FAKT dita e sotme është ditë e qetë. në pikëpamjen e administrimit zgjedhor pasi KQZ është i fokusuar ekskluzivisht në këtë detyrë. Në këtë pikëpamje infrstrukturore  në gjithë periudhën që ne kemi mbikëqyrur sot, situata paraqitet normale dhe të gjitë kanë patur mundësinë për të votuar Ekzistojnë situata të izoluara si këto 7 zona, do të kërkojnë një vendimmarrje  dhe një vlerësim nga ana e KQZ por do të kemi në vijim një vendim si do të operojmë.

Esjona Konomi: Ndërkohë pjesëmarrja është ai element që në fund të këtij votimi do ta përdorin të dy partitë kryesore për të shpallur fitoren e vetë. ju keni deklaruar një rezultat, në orën 15:00, rreth 15.5 % pjesëmarrja në votime, gjë që është përgënjeshtruar nga PD por dhe është vënë në dyshim nga kryetari i KQZ. Sa është realisht pjesëmarrja sipas të dhënave të administratës tuaj?

Rezarta Bitri: Ekzaktësisht sikundër referuat, në atë proces ku ne kemi lidhjet frekuente me zinxhirin tonë në nivel lokal, nga raportimet që ne marrim dhe nga ajo që administrohet në mënyrë statistikore, është rreth 15 .5 %. Kjo shifër është një statistikë. KQZ nuk ka këtë si kriter vlerësues të punës sonë. Puna jonë është që të  ngremë gjithë infrastrukturën, e cila ka vijuar që prej Dhjetorit të vitit të kaluar. Axhenda jonë institucionale ka qenë e fokusuar në krijimin e infrastrukurës zgjedhore. Pra për ne sot rezultati është i kënaqshëm deri tani, kemi patur një situatë të qetë dhe një mundësi për cdo qytetar që të kryejë votimet. Pa u mbyllur procesi nuk mund të diskutojmë mbi %. Ky është një bilanc që i takon aktorëve të tjerë

Esjona Konomi: Në 2017, për një pjesëmarrje të ulët që gjithsesi ishte më e lartë se sa sot, kërkuan dhe u shty me 1 orë votimi. Ishte kërkesë e Partisë Socialiste, ju jeni propozuar nga PS në KQZ dhe në rast se ju mbërrin një kërkesë për ta shtyrë me 1 orë votimin a do ta shtyni?

Rezarta Bitri: Precedentët janë të ndryshëm, ligji është i njëjti por në një kontekst të ri faktik duhet ta vlerësojmë situatën në tavolinë në këto situata që na ofrohen i cili do jetë objekt vendimmarrje. Përqindja nuk është një kufi dhe i përcaktuar në ligj që ne të na imponojë një vendimmarrje për të vlerësuar nëse zgjedhjet arritën qëllimin apo jo, pra nëse do ketë kërkesë të tillë do të vlerësohet në tavolinë./abcnews.al