Nga Linda Karadaku
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut u mbyllën me një dështim të thellë të LSDM-së, gjë që çoi në deklarimin e dorëheqjes së Zoran Zaev, nga posti i kryeministrit dhe ai i kryetarit të partisë. Por si do të procedohet më tej, duke pasur parasysh presionin që I është bërë Zaevit nga partnerët e koalicionit për të mos dhënë zyrtarisht dorëheqjen? Analisti Sefer Selimi nga Shkupi, shpjegon se shumëçka pritet të shihet.
“Ndonëse e dhënë në mënyrë publike nga kryeministri Zoran Zaev në natën e zgjedhjeve, dorëheqja ende nuk është proceduar zyrtarisht, as në partinë e tij, as në qeverinë e republikës së Maqedonisë së Veriut, pas së cilës do vazhdonin proceset e tjera rrjedhëse, siç është zgjedhja e kryetarit të ri të LSDM-së, dhe procesimi i dorëheqjes së kryeministrit, me çka edhe qeveria do të ishte një qeveri në dorëheqje. Pas kësaj, nëse do të rrjedhin ngjarjet ashtu siç u paralajmëruan, atëherë do të kemi gjithsesi, një qeveri në dorëheqje, një mandatar të ri që do të propozohet nga shumica e re e krijuar në pushtet, dhe vazhdimi i procedurës për zgjedhjen e kabinetit të ri qeveritar” thotë Selimi.
Partitë shqiptare duket se janë të kënaqura me atë që arritën, BDI e Ali Ahmetit ruajti numrin e votuesve që kishte pasur në zgjedhjet parlamentare, ndërsa partitë opozitare morën Tetovën, Gostivarin dhe disa komuna më të vogla. Megjithatë një numër sfidash mbeten, veçanërisht për BDI-në. “BDI-ja do të ketë dy kokëçarje mjaft të mëdha në periudhën e ardhshme duke mos kontrolluar dy nga qytetet më të rëndësishme shqiptare, urbane shqiptare, dhe kjo është komuna e Tetovës dhe Gostivarit.
Në esencë, këto dy qytete kanë peshë në organizimin e jetës kulturore, shoqërore, dhe politike të shqiptarëve në Maqedoni, dhe gjithmonë shihen si dy komuna me shumë privilegj se kush udhëheq në to” shpjegon analisti. Ajo që ndodhi në Maqedoninë e Veriut pritet të ketë ndikim edhe në skenën rajonale, veçanërisht në lidhje me marrëveshjet ndërkombëtare.
Po kështu, Open Ballkan sfidohet nga mungesa e njërit nga tre lojtarët kryesorë, Zoran Zaevit. Çfarë do të ndodhë më tej? Do të pritet të shihet nëse LSDM do të arrijë të ruajë shumicën në parlament, nëse jo, vendi do të shkonte drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare./ Abcnews.al