A do të pranohet Kosova në Interpol?

schedule22:11 - 19 Nëntor, 2018

schedule 22:11 - 19 Nëntor, 2018

Mes Prishtinës dhe Beogradit ka polemika për shkak të vendimit që pritet të merrët nga INTERPOL për pranimin  ose jo të Kosovës. Analistët japin mendime të ndryshme për këtë çështje.

Vendimi i Asamblesë së Përgjithshme të Interpol-it që është mbledhur në Dubai, për pranimin apo jo të Kosovës në këtë organizëm, ka ngjallur polemika të rrepta mes palës kosovare dhe asaj serbe. Përderisa Prishtina zyrtare e arsyeton nevojën e aderimit me luftimin e krimit të organizuar e të korrupsionit, si një ndër levat kryesore për qëndrueshmërinë edhe rajonale, Beogradi pohon të kundërtën, se pranimi i Kosovës në Interpol do t’u mundësonte strukturave terroriste të posedojnë të dhëna për personat të cilët dyshohen për vepra të rënda penale.

Analistët Milivoje Mihajloviç dhe Idro Seferi duke folur për këto debatet që shoqërojnë verdiktin e Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit në Dubai, kanë shfaqur mendimet e tyre për kërkesën e Kosovës që të bëhet anëtare me të drejta të plota në këtë organizëm. Mihajloviq ka lënë të kuptohet se gjasat janë më në favor të palës kosovare, për shkak se, thotë ai, vendet të cilat e mbështesin Kosovën janë më të fuqishme se ato që përkrahin Serbinë.

“Tensioni është tepër i lartë. Çështja e pjesëmarrjes ose e hyrjes së Kosovës në Interpol po shtrohet si çështje të jesh a të mos jesh, edhe në Beograd, edhe në Prishtinë dhe prandaj nervoza është shumë e madhe si tek njëri ashtu edhe delegacioni tjetër. Është legjitime që të dyja palët të lobojnë”, thekson Milivoje Mihajloviç.

Ndërkaq, kolegu Idro Seferi është i mendimit se përtej tensioneve aktuale politike aderimi i Kosovës në Interpol do të ishte me rëndësi për sigurinë në rajon.

“Politikisht është e rëndësishme, nëse kjo kalon, edhe për Serbinë, edhe për Kosovën. Për Kosovën do të jetë dëshmi se vazhdon të ketë mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, kurse nga ana tjetër, për Serbinë, kjo mbase do të ishte një disfatë e madhe”, thekson Idro Seferi.

Këto komente ai dhe Mihajloviç i kanë bërë për TV Prva pas pretendimeve të medias serbe përfaqësuesit e Kosovës i paskan provokuar ata të Serbisë, të pranishëm në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!