A do të lirohen masat kufizuese? Arben Ahmetaj në ABC: Unë do votoj që Shqipëria të hapet

schedule22:24 - 5 Prill, 2021

schedule 22:24 - 5 Prill, 2021

A do të hapet Shqipëria pas uljes së rasteve? Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj deklaroi në emisionin “Log.” në ABC se ky është një debat që bëhet çdo ditë në kabinet në varësi të propozimit të Komitetit të Ekspertëve.

“Ai tha se kur të votohet në atë diskutim ai do të jetë pro hapjes për shkak se shifrat në Shqipëri janë gjithnjë e më në rënie. “Kur të votohet në atë diskutim, unë për aq sa mban vota ime, do bëj argument të fortë që Shqipëria të hapet. Shqipëria është më e hapur se vendet e tjera numra, fatalitetet i ka në rënie”, deklaroi Ahmetaj.

Ministri shpjegoi konkretisht si arrihet në vendimmarrje për lirimin apo shtrëngimin e masave kufizuese.

“Ka pasur një debat në kabinet dhe arbitër dhe vendimmarrës është kryeministri. Do hapemi, sa do hapemi, sa do mbyllemi? Është një debat që bëhet gati përditë në kabinet. Komiteti propozon pastaj mendohet hapet kaq, hapet aq, do bëhet kjo dhe do bëhet ajo. Në përgjegjësi politika e merr përsipër hapjen ose mbylljen në referencë të rekomandimeve të komitetit”, tha ministri.

Ahmetaj tha se për përmbylljen e vaksinimit masiv mund të duhen nga 4 deri në 5 milion doza vaksinash.

“Shqiptarët do shijojnë një sezon të hapur veror. Do jemi pa masat pasi do kemi kaluar në një nivel vaksinimi që do na e lejojë ta bëjmë këtë. Unë mendoj që ne do kemi nevojë diku te 4 deri në 5 milion doza. Nga Covax 1 147 000 doza presim. Kanë ardhur 38 400 deri tani. Qytetarët e dinë vetë për kë do votojnë pavarësisht nëse vaksinohen apo jo. Ne nuk kemi kontratë me shtetin turk por me një distributor”, tha ai./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!