A do të ketë ofensivë nga Biden në dialogun Kosovë-Serbi këtë vit?

schedule13:09 - 4 Janar, 2022

schedule 13:09 - 4 Janar, 2022

Daniel Serwer dhe Bodo Weber kanë pritje të ndryshme sa i përket angazhimit amerikan në dialogun Kosovë – Serbi gjatë vitit 2022. Serwer pret lëvizje konkrete, derisa Weber potencon se ende s’ka parë qartësi te administratës aktuale në raport me negociatat. Ndërkohë ish-ambasadori i Kosovës në Washington, Avni Spahiu, thotë se emërimet e reja amerikane në rajon janë sinjal se do të ketë lëvizje serioze nga Washingtoni gjatë këtij viti. Spahiu thotë se rajoni ka rrezik të rrëshqasë përsëri në dhunë, në rast se s’do të ketë progres në dialogun Prishtinë – Beograd.

Gazeta Express/ Besnik Veliu

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor asnjëherë s’ka pasur zhvillime të rëndësishme politike pa përfshirjen direkte të Shtëpisë së Bardhë. Nëse kthehemi mbrapa në vite, i kemi bombardimin e Jugosllavisë, çlirimin e Kosovës dhe rrugëtimin e vendit deri te 17 Shkurti. Të gjitha këto procese e kanë vulën amerikane. Historia na tregon që ndryshe s’do të mund të jetë as kur bëhet fjalë për përmbylljen e fazës finale të procesit të dialogut me Serbinë. Por çfarë thonë ekspertët dhe njohësit e politikës ndërkombëtare dhe a pritet të kemi një ofensivë të Joe Bidenit në vitin 2022 për t’i shtyrë Prishtinën dhe Beogradin drejt arritjes së një ujdie finale?

Pas ardhjes së Joe Bidenit në krye të Shtëpisë së Bardhë, mozaiku i njerëzve që e implementojnë politikën amerikane në Ballkanin Perëndimor është ndryshuar plotësisht. Në vend të Matthew Palmerit, e kemi emisarin për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Anthony Godfrey në Beograd do të zëvendësohet nga diplomati i rryer, Christopher Hill, dhe në krye të ambasadës së SHBA-së në Prishtinë do të vijë Jeffrey Hovenier. Të gjithë këta emra kanë lidhje me rajonin nga e kaluara, sidomos ambasadori Hill, rikthimi i të cilit në Beograd ka bërë bujë shumë të madhe, për shkak të angazhimit të këtij të fundit në proceset e viteve 90-a.

Eksperti amerikan dhe profesori i “John Hopkins” University, Daniel Serwer, në një përgjigje për Gazetën Express thotë se pret nga ky ekip njerëzish që të bëjnë diçka për Ballkanin Perëndimor, duke filluar nga viti 2022.

“Unë pres që ky ekip i ri të dëshirojë të kryejë diçka, duke filluar nga viti 2022. Fokusi i tyre fillimisht ka gjasa të jetë parandalimi i fatkeqësisë në Bosnjë e Hercegovinë, por ata gjithashtu do të duan të arrijnë diçka me Kosovën dhe Serbinë”, ka thënë Serwer.

Profesori amerikan tutje shton se pret zhvillimet konkrete në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, sidomos në çështjen e personave të zhdukur dhe çështje që ndërlidhen me aspektet financiare.

“Unë gjithashtu do të doja të shihja miratim në Ballkanin Perëndimor, gjithashtu përfshirë Prishtinën dhe Beogradin, të parimeve që çojnë në sjellje korrekte drejt fqinjëve bashkë me implementimin e planeve”, ka thënë Serwer.

Serwer është skeptik kur pyetet për një takim të mundshëm në Shtëpinë e Bardhë, që do të drejtohej nga Joe Biden, dhe që nuk do të përfundonte pa një marrëveshje finale Kosovë – Serbi.

“Gjëra të tilla spektakulare ndodhin vetëm kur përgatiten me kujdes. Nuk shoh asnjë perspektivë që Prishtina dhe Beogradi të jenë gati për një gjë të tillë përpara zgjedhjeve presidenciale serbe, e ndoshta jo edhe pas kësaj”, ka thënë eksperti amerikan për Express.

Ai tutje thotë se, pavarësisht faktit nëse do të arrihet ose jo një marrëveshje finale, shpreson që Ballkani Perëndimor të fokusohet në çështje me rëndësi.

“Përgatitje për pranim në BE, për ata që duan, anëtarësim në NATO. Përfitimet e të dyjave vijnë kryesisht nga ato përgatitje. Pasi të kualifikohen, vendet e mundshme anëtare të BE-së do të duhet të presin që dritarja politike të hapet, me gjasë jo shumë përpara fundit të kësaj dekade. Rruga është e gjatë”, ka thënë Serwer.

Sipas tij, pavarësisht lëvizjes së ngadalshme, ai që do të jetë i qëndrueshëm do ta fitojë këtë garë.

Eksperti gjerman, Bodo Weber, ka pritje të ndryshme nga amerikani Serwer, kur pyetet për ndonjë iniciativë konkrete të administratës Biden në raport me dialogun Kosovë – Serbi gjatë vitit 2022.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Weber ka thënë se aktualisht nuk pret që të ketë ndonjë ofensivë nga administrata Biden sa i përket dialogut Kosovë – Serbi. Sipas gjermanit, ajo që po shohim është më shumë vazhdimësi e politikës që e ka ndjekur administrata e Donald Trump.

“Deri tani, nuk kemi parë ndonjë qartësi të definueshme të politikës së Administratës Biden karshi Ballkanit Perëndimor. Ka pasur shumë staf dhe vazhdimësi të politikës së administratës Trump. Më shumë në Bosnjë sesa në dialog. Kur i dëgjon Escobardin dhe përfaqësues të tjerë të administratës amerikane teksa flasin për Serbinë, tingëllon më shumë sikurse administrata Trump sesa ndonjë administratë demokratike. Por edhe nëse është kështu, SHBA-ja ka nevojë për Bashkimin Evropian që më në fund të ketë një resetim final dhe rifillim serioz të negociatave për një marrëveshje finale dhe vërtet gjithëpërfshirëse”, ka thënë Weber për Express.

Ish-ambasadori i Republikës së Kosovës në Washington, Avni Spahiu, thotë se ndërrimi i kokave të politikës amerikane në rajonin e Ballkanit Perëndimor nënkupton se gjatë këtij viti do të ketë një angazhim të fuqishëm amerikan në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Spahiu thotë se është koha për rezultate në procesin e negociatave dhe thekson se nëse do të ndodhë ndryshe, rajoni do të rrëshqasë sërish në dhunë.

“Ky vit po hyn me një garniturë të diplomatëve të fortë amerikanë në rajon. Kjo do të thotë se mund të presim një angazhim më të fuqishëm amerikan edhe në dialogun Kosovë – Serbi për normalizim. Pas një periudhe të gjatë shterpësie në këtë proces, është koha për rezultate. Ose rajoni do të rrëshqasë sërish në ciklin e dhunës. Ndonëse SHBA-ja sërish nuk do ta ketë rolin e ndërmjetësuesit, të cilin do ta ketë edhe më tutje BE-ja, por prania amerikane do të jetë e ndjeshme dhe shpresoj se do të ndikojë që të ketë rezultate konkrete”, ka thënë Saphiu për Gazetën Express.

Spahiu thotë se administrata aktuale amerikane paralajmëron një angazhim më proaktiv, jo vetëm për shkak të dialogut Kosovë – Serbi, por edhe si rezultat i rritjes së ndikimit të politikës ruso-kineze dhe rëndimit të rajonit nga një gjë e tillë.

Ai thotë se me një gjë të tillë, Moska dhe Pekini po krijojnë konfrontime dhe rreziqe në bashkëpunim me partnerin e tyre të besueshëm, Aleksander Vuçiqin, dhe regjimin hegjemon të këtij të fundit.

Roli i Bashkimit Evropian dhe Berlinit në procesin e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe bashkëpunimi me SHBA-në

Eksperti amerikan, Daniel Serwer, thotë se Brukseli mbetet ende forumi më i mirë sa i përket dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, ai thotë se kërkohet më shumë mbështetje dhe përkushtim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në monitormimin e implementimit të marrëveshjeve që tashmë janë arritur.

“Dyshoj që SHBA-ja do të marrë në dorë, duke qenë se fati i Ballkanit Perëndimor është në Evropë”, ka thënë Serwer, i pyetur nëse e sheh si profitabil modelin negociator të BE-së dhë nëse Washingtoni duhet ta marrë në dorë gjithë procesin.

Por, cili do të jetë roli i BE-së në procesin e negociatave pa Angela Merkelin në krye të Gjermanisë, sipas Bodo Weber?

Eksperti gjeman thotë se roli i Berlinit në procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rivendoset nga qeveria e re, meqë thotë se në vitet e fundit nuk është që ka mbetur shumë nga roli drejtues i Merkelit dhe politika e BE-së për zgjerim në përgjithësi.

“Në qoftë se Merkel do ta kishte marrë seriozisht rolin e saj drejtues, siç e kishte në vitin 2011-2013, ajo do ta mbyste qysh në fillimin e vitit 2018 idenë e rrezikshme për shkëmbime territoresh dhe do të hynte në një luftë serioze me presidentin Macron për minimin e tij serioz të procesit të zgjerimit dhe bllokimit të liberalizimit të vizave”, ka thënë eksperti nga DPC-ja.

Weber thotë se për të gjitha këto çështje, marrëveshja e koalicionit të qeverisë së re në Gjermani është premtuese, meqë aty janë edhe të Gjelbërit.

“Kështu që pres më shumë nga ministrja [e Jashtme] Baerbock që ta kapë atë rolin drejtues gjerman sesa kancelari Scholz, i cili ende nuk është familjarizuar me Ballkanin perëndimor”, ka thënë ai.

Bodo Weber në fund thotë se pas zgjedhjeve presidenciale në Francë, Gjermania duhet të ketë diskutime serioze me Mcronin për ta ringjallur procesin e zgjerimit, meqë presidenti francez është kundër. Weber thotë se pa u hequr një rezistencë e tillë e Macronit, procesi i zgjerimit do të jetë i vdekur në vitin e ardhshëm.

“Pa perspektivën e anëtarësimit në BE, nuk do të ketë rol drejtues të BE-së në dialog, s’do të ketë avantazh ndaj Serbisë. Sapo të kapërcehet kjo pengesë, Berlini dhe Uashingtoni duhet t’i bashkojnë forcat në një rivendosje të negociatave”, ka përfunduar Weber.

Kosova dhe Serbia ka vite që janë duke negociuar në Bruksel me qëllim të arritjes së një marrëveshje finale. Aktualisht procesi ka ngecur, derisa s’dihet se kur do të ketë një takim të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq, pasi një takim të tillë Josep Borell dhe Miroslav Lajça dështuan ta aranzhojnë para vitit të ri./GazetaExpress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!