Nga Ashok Swain, Gulf News
Gjatë 15 viteve të fundit, bota ka dëshmuar një rënie të numrit të demokracive, dhe një përkeqësim të të drejtave politike dhe lirive civile. Demokracitë e reja jo vetëm e po e humbin karakterin e tyre demokratik, por edhe demokracitë e mëdha dhe me bazament të fortë kanë qenë në gjendje që t’i shpëtojnë kësaj tendence globale.
Që nga viti i kaluar, pandemia e Covid-19 ua ka lehtësuar punën disa udhëheqësve populistë në shtypjen e zërave kundër, teksa u ka dhënë mundësi të forcojnë pushtetin për veten e tyre. Ndërsa demokracia po përjeton aktualisht një fazë të errët, ndryshimi në administratën amerikane ka krijuar një shpresë të re.
Presidenti i ri Joe Biden ka propozuar mbajtjen e një samiti global për demokracinë, ku do të bashkohen demokracitë e botës për të forcuar institucionet e tyre demokratike, dhe në të njëjtën kohë për t’u përballur me vendet që kanë bërë hapa pas në këtë drejtim.
Pas fundit të Luftës së Ftohtë në Evropë, SHBA e ka udhëhequr e vetme botën, duke mbështetur dhe promovuar hapur demokracitë në të gjithë botën.
Pasi basti i madh i George W.Bush në Lindjen e Mesme, u bë shumë i shtrenjtë për SHBA, si ushtarakisht ashtu edhe financiarisht, administrata e Obamës e mbajti veten për 8 vite rresht larg projekteve të promovimit të demokracisë.
Gjatë 4 viteve të fundit, administrata Trump ndoqi një kurs tërësisht të kundërt, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Institucionet demokratike në SHBA pësuan një degradim të madh. Madje edhe procesi zgjedhor u vu nën vëzhgim serioz për shkak të akuzave për manipulime.
Ndërkohë, politika e jashtme e Donald Trump ruajti distancë edhe ndaj aleatëve të saj demokratë në Evropë, ndërsa flirtonte me populistët etno-nacionalistë autoritarë.
Prandaj nuk ka asnjë dyshim se udhëheqja e Joe Biden bërja bashkë e demokracive të botës në një samit global, i planifikuar të mbahet brenda këtij viti, është një zhvillim i mirëpritur për cilindo që mbështet vlerat demokratike. Sekretari i Shtetit i Joe Biden, Antony Blinken, ishte i qartë në seancën e miratimit të tij para Komitetit të Senatit, mbi qëllimin e administratës së re. “Detyra jonë është të rivendosim sërish demokracinë dhe të drejtat e njeriut në qendër të politikës së jashtme amerikane”- tha ai.
Për të justifikuar thirrjes e samitit global të demokracisë, Blinken tha se ai do t’i japë mundësinë vendeve demokratike që të reflektojnë mbi sfidat që po hasin, pikërisht për shkak të populizmit në rritje. Nuk ka asgjë të keqe tek ky qëllim, por problemi i vërtetë është se shumë demokraci sot në botë drejtohen aktualisht nga populistë.
A po mendon administrata e Biden për një samit të demokracive, ku të mos ftojë disa vende? Çështja se cilët do të ftojë dhe cilët jo, nuk do të jetë sfida e vetme për Joe Biden në udhëheqjen e procesit për fillimin e “valës së katërt” të mundshme të demokracisë.
Vala e parë ishte në fillim të shekullit XIX-të, e dyta pas Luftës së Dytë Botërore, dhe vala e tretë ndodhi që pas vitit 1974 me demokratizimin e Evropës Jugore dhe vazhdoi për gati 2 dekada e gjysmë.
Organizimi i një samiti është një ide e mirë, por ka një shqetësim real për shkak të mungesës së qartësisë në lidhje me qëllimin e tij. Nëse Shtetet e Bashkuara planifikojnë që të ndërtojnë një aleancë të demokracive përballë boshtit Kinë-Rusi, bota do të zhytet përsëri në epokën e Luftës së Ftohtë.
Kjo politikë e aleancave konfrontuese me njëra-tjetrën, do t’i detyrojë shumë vende të varfra në zhvillim që t’i bashkohen asaj, pikërisht në një kohe kur ato do të kenë nevojë për mbështetjen që mund të marrin nga cilido që dëshiron ta ndërtojë ekonomitë e tyre, dhe të përmirësojë standardin e jetesës së qytetarëve të tyre.
Jo vetëm kaq, por bota ndodhet tani në një fazë kritike, dhe nuk ka luksin qe të ndahet në dy blloqe ndërluftuese. Kërcënimi nga ndryshimi global i klimës dhe kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia janë sfida shumë të mëdha që nuk mund të përballohen me sukses nga vetëm një vend apo një grup vendesh.
Në këtë botë të globalizuar, edhe problemet janë bërë globale. Për t’i adresuar ato me sukses, kërkohet një përpjekje globale. Administrata e Joe Biden e ka treguar synimin e saj për të luftuar kundër ndryshimit të klimës. Për këtë, ajo nuk ka mundësi tjetër përveçse të bashkëpunojë me Kinën.
Edhe ideja e kryeministrit britanik për të zgjeruar G7 në një D10 (duke përfshirë Australinë, Korenë e Jugut, Indinë) për të neutralizuar fuqinë ekonomike të Kinës, mund të jetë gjithashtu joproduktive për SHBA-në. Ekonomia globale gjendet aktualisht në një fazë të pasigurt për të vazhduar një luftë tregtare, të cilën e nisi administrata Trump, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe vetë SHBA-së.
Kësisoj, administrata Biden nuk duhet të bjerë në grackën e arrogancës, duke ndërmarrë një kryqëzatë për ta demokratizuar botën. Lëvizjet demokratike duhet të zhvillohen në vendet përkatëse, dhe ky duhet të jetë mesazhi që duhet të dalë nga ky samit global.
Vitet e fundit, bota tashmë ka parë shumë raste të tmerrshme të dështimeve të mëdha të planeve për të imponuar demokracitë një vendi të caktuar. Opsioni më i mirë i mundshëm për SHBA-më, është të ndihmojë në ndaljen e erozionit të mëtejshëm të demokracive në botë.
Për këtë, ajo mund të sigurojë mbështetje morale dhe burimore nga grupimet dhe aktivistët që luftojnë kundër dobësimit të institucioneve demokratike dhe përkeqësimit të të drejtave të njeriut në vendet e tyre që po rrëshqasin gjithnjë e më poshtë në shkallën e indeksit të demokracisë.
Fatmirësisht, administrata e Biden planifikon që të ftojë në samit jo vetëm udhëheqësit e demokracive, por edhe aktorët e shoqërisë civile të angazhuar në lëvizjet demokratike në të gjithë botën. Ky samit, mund të jetë gjithashtu një platformë për të ftuar të gjitha demokracitë, me konsoliduara, të dobëta, apo “të sëmura”, në mënyrë që ta përdorin atë për t’i përcjellë një mesazh të përbashkët udhëheqësve populistë etno-nacionalistë, se bota po i sheh ata.
Njëherazi, për të mirën e botës dhe vendit të tij, Joe Biden duhet që të përmbahet jo vetëm nga një qasje misionare për të demokratizuar vendet e tjera, por edhe të mos bëjë përpjekje për të ndërtuar një aleancë ekonomike apo bllok ushtarak të demokracive. Në këtë fazë ku ndodhet, bota thjesht nuk ka mundësi ta përballojë një Luftë të Ftohtë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al