A do e dominojë Azia shekullin XXI?

schedule21:55 - 2 Prill, 2021

schedule 21:55 - 2 Prill, 2021

Nga Lee Jong-Wha, Project Syndicate

Pandemia e Covid-19 nuk ka qenë ora më e mirë e Perëndimit. Shumica e qeverive perëndimore dështuan të frenojnë përhapjen vdekjeprurëse të virusit, dhe dëmin e madh ekonomik që ai ka sjellë. Dhe ndjekja prej vendeve perëndimore e politikave të brendshme me natyrë proteksioniste, ka kontribuar relativisht pak në një përgjigje efektive ndërkombëtare ndaj koronavirusit.

Përkundër këtij sfondi, disa e konsiderojnë krizën aktuale si një pikë kthese, që do të përshpejtojë ringjalljen globale të Azisë. Ata argumentojnë se vendet aziatike e menaxhuan pandeminë më mirë sesa Perëndimi, dhe besojnë se performanca e fortë dhe qëndrueshmëria ekonomike e rajonit gjatë gjysmës së shekullit të kaluar,është dëshmi e epërsinë së sistemeve qeverisës të këtyre vendeve.

Në fakt, shekulli XXI do t’i përkasë Azisë, vetëm nëse rajoni mund të zhvillojë një udhëheqje të unifikuar dhe kolektive. Azia është tashmë një fuqi e madhe globale, që përbën 60 për qind të popullsisë së botës dhe rreth 40 për qind të PBB globale në termat e barazisë së fuqisë blerëse.

Dhe me 8 nga 15 vendet më të populluara në botë (Kina, India, Indonezia, Pakistani, Bangladeshi, Japonia, Filipinet dhe Vietnami), Azia është më shumë se sa vetëm Kina. Për më tepër, India dhe Japonia – përkatësisht ekonomitë e treta dhe të katërta më të mëdha në botë në aspektin e fuqisë blerëse – janë gjithashtu superfuqi ekonomike.

Gjatë 50 viteve të fundit, të ardhurat për frymë të Japonisë, Singaporit, Koresë së Jugut dhe Tajvanit, janë rritur shpejt duke arritur nivelet perëndimore. Kina, India, Indonezia dhe së fundmi Vietnami po ndjekin të njëjtën rrugë. Dhe Azia pritet të vazhdojë të rritet fuqishëm edhe në dekadat e ardhshme.

McKinsey & Company parashikon që deri në vitin 2040, rajoni do të përbëjë më shumë se gjysmën e PBB-së botërore dhe 40 për qind të konsumit global. Nga ana tjetër, skeptikët thonëse disa sfida të brendshme, mund ta rrezikojnë rritjen afatgjatë të rajonit.

Disa ekonomi të Azisë Lindore, përfshirë Kinën, Japoninë dhe Korenë e Jugut, po përjetojnë një plakje të shpejtë të popullsive që tani po tkurret. Kjo do të thotë se ata nuk do të gëzojnë më fitimet e demografisë që më parë mbështesnin rritjen e fortë të rajonit.

Gjithashtu,ata flasin për rritjen e pabarazisë së të ardhurave dhe pasurisë, e cila sipas tyre po e minon kohezionin social dhe stabilitetin politik. Dhe përmbysjet politike mund të bëhen më të mundshme në rast se qeveritë autoritare aziatike, nuk arrijnë të ofrojnë dot standarde më të larta jetese dhe të plotësojnë kërkesën në rritje për demokraci.

Por politikë-bërësit aziatikë, i kanë adresuar me sukses pengesat e mëparshme për një rritje të fortë dhe të qëndrueshme ekonomike. Në veçanti, qeveritë e Azisë Lindore kanë qenë pragmatike dhe relativisht të pa korruptuara.

Shumë prej tyre janë zotuar të sigurojnë të mira të rëndësishme publike siç është arsimi, kujdesi shëndetësor dhe infrastruktura e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Qeverisja e mirë, ka mbështetur ndërkohë funksionimin efektiv të tregjeve.

Ndërkaq, vendet aziatike kanë stimuluar sektorët privatë shumë kompetentë. Një forcë punëtore e arsimuar dhe e aftë, bashkë me politikat ekonomike të mirë-drejtuara, ishte thelbësore për ndërtimin e industrive të larmishme dhe të sofistikuar teknologjikisht të eksportit.

Dhe kompanitë aziatike kanë treguar dinamizëm dhe një shkathtësi të madhe, për t’iu përgjigjur krizës financiare globale të vitit 2008 dhe pandemisë së Covid-19. Por shekulli aziatik, duket aktualisht një perspektivë e largët, kryesisht për shkak të mungesës së unitetit. Kina është qartazi një superfuqi ekonomike dhe ushtarake.

Por modeli i saj autoritar nuk u pëlqen demokracive të rajonit. Japonia dhe India, janë gjithashtu lojtaret kryesore rajonale dhe globale, ndërsa Australia, Indonezia dhe Koreja e Jugut, që të gjitha anëtare të G20, luajnë gjithashtu role të rëndësishme politike dhe ekonomike.

Prandaj, nuk është çudi që na mungon tërësisht një institucion zyrtar rajonal siç është BE në Evropë. Pavarësisht themelimit të organeve rajonale si Shoqata e Kombeve të Azisë Juglindore dhe Samitit të Azisë Lindore, për të sheshuar dallimet ekonomike dhe politike, udhëheqësit aziatikë nuk kanë ende një vizion të përbashkët për integrimin dhe bashkëpunimin rajonal.

Dhe me rritjen e tensioneve gjeopolitike në Detet e Kinës Lindore dhe Jugore, Gadishullin Korean dhe përgjatë kufirit Kinë-Indi, konfliktet ushtarake mbeten një kërcënim i mundshëm për paqen dhe prosperitetin rajonal. Aktorët e jashtëm, do të vazhdojnë të luajnë një rol kryesor në rajon, pjesërisht sepse Azia varet shumë nga eksportet e saj në Shtetet e Bashkuara dhe BE.

Është e vërtetë, teksa Covid-19 ka ndërprerë zinxhirët globalë të furnizimit, kompanitë preferojnë tani t’i lokalizojnë ose rajonalizojnë rrjetet e tyre të prodhimit. Dhe ky ndryshim mund të thellojë lidhjet tregtare midis vendeve aziatike, ku një shtresë e mesme në rritje pritet të gjenerojë kërkesën e saj për prodhim.

Por Amerika dhe Bashkimi Evropian, si dhe tregjet në zhvillim në Afrikë dhe Amerikën Latine, do të mbeten partnerë të rëndësishëm tregtarë për Azinë. Trajektorja e ardhshme e rajonit, do të varet nga sa mund të parandalojë proteksionizmin tregtar global, dhe të minimizojë ndikimin e konkurrencës strategjike SHBA-Kinë, e cila është pengesa e vetme më e madhe për zhvillimin e udhëheqjes kolektive aziatike.

Mbi të gjitha, Azia mbështetet ende shumë tek SHBA-ja për paqen dhe sigurinë. Shumë vende, përfshirë Australinë, Japoninë, Filipinet dhe Korenë e Jugut, janë aleate të SHBA-së dhe nuk duan që të marrin anë. Brenda kornizës së Dialogut Katërkëndësh të Sigurisë, ose QUAD, SHBA-ja, Japonia, India dhe Australia po forcojnë lidhjet mes tyre për t’u përballur me rritjen e ndikimit rajonal të Kinës.

Ku grup njoftoi kohët e fundit planin për të shpërndarë shumë vaksina anti-Covid në vendet e Azisë Juglindore, ndërsa Kina po furnizon me vaksinat e saj pjesën më të madhe të botës në zhvillim. Një udhëheqje e unifikuar aziatike, mund të shfaqet vetëm pasi Kina dhe SHBA-ja të bëjnë kompromis dhe të bashkëpunojnë mes tyre.

Qeveritë e rajonit duhet të angazhohen në mënyrë aktive në zgjidhjen e sfidave rajonale dhe globale, dhe të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive me rajone të tjera. Dhe ato duhet të kontribuojnë në përmirësimin e qeverisjes globale. Nuk do të ketë një shekull aziatik, derisa udhëheqësit e Azisë të pranojnë se duhet të jetë gjithashtu një shekull i prosperitetit të përbashkët global. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Lee Jong-Wha, profesor i ekonomisë në Universitetin e Koresë. Më herët ka qenë krye-ekonomist në Bankën Aziatike të Zhvillimit dhe këshilltar për çështjet ekonomike i ish-presidentit të Koresë së Jugut Lee Myung-bak.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!