Nuk kanë fund talljet dhe akuzat për Interin, pas eleminimit të papritur nga Liga e Kampionëve. Tifozët ishin të dëshpëruar, ndërsa rivalët u lumturuan në rrjetet sociale.
Ky gol nuk mjaftoi dhe tragjedia ishte thuajse e plotë. Interi jashtë Championsit do të thotë dhimbje e madhe për tifozët, njëlloj pasionantë dhe të ndershëm si në gjithë botën, por që po vuajnë prej 8 vjetësh. Përjetimi ishte i rëndë në “San Siro” pas barazimit me PSV-në.
Jo më pak të hidhëruar tifozët nëpër shtëpi, që kaluan një mbrëmje zie. Në lot, Uanda Nara, gruaja dhe menaxherja e kapitenit interist, Mario Ikardi. Edhe një femër e fortë si ajo, nuk arriti ta përmbante veten. Twitter gati shpërtheu nga talljet dhe akuzat e tifozëve.
Dikush kishte postuar një foto me shpjegim Krishtlindjet në Ligën e Europës, dhe aty kishte vendosur fotot e protagonistëve të Interit dhe Napolit, që të dyja të eleminuara nga Championsi. Dikush tjetër, me emrin “Anti Inter Social”, vendos në postim fotot e Uanda Narës duke qarë, me urimin “Mirupafshim Champions”
“E kam Vecino! Ah jo!”, është komenti i radhës për trajnerin Luciano Spalleti. Ja dhe Xhani Libra, me siguri ndonjë juventin:
Në Gusht, thoni jemi për titull, në Shtator, analogji me 2010-n, do të kemi tripletë, në Tetor thoni se jua kanë frikën, sistemi, pallati i pushtetit. Në Nëntor, diferenca është zero. Për muajin Dhjetor, vendoset një foto e Bitëllsave, që thonë mirupafshim.
Ja dhe një tallje për drejtorin e ri sportiv të Interit, Marota, ish-juventin, që sikur flet me gruan: Po, e dashur, mbarova punë. Këtu tek Interi dilet nga zyra shpejt!
Së fundi, ja një foto e Mourinhos me tre gishtat lart, dhe me shpjegimin se trajneri portugez po parashikonte vendin që Interi do të zinte në grup. Nuk mjaftuan këto, por vjen edhe tallja nga Holanda.
PSV Eindhoven-i bëri shaka pas ndeshjes, duke i kujtuar Tottenhamit se kualifikimi ishte dhuratë. Na falenderoni më vonë, shkruajtën holandezët në Twitter./abcnews.al