Trupi i pajetë i një të riu sirian u gjet në Poloni pranë kufirit me Bjellorusinë, njoftoi policia polake të shtunën. “Dje, në pyll, afër kufirit u gjet trupi i një të riu sirian”, tha policia në Twitter. Policia ka sqaruar se për momentin nuk janë përcaktuar shkaqet e vdekjes.
Tensioni në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë është konstant. Pavarësisht njoftimit të Ankarasë se do të ndalojë lëvizjen e emigrantëve drejt Minskut, drama e mijëra njerëzve të bllokuar në kufi po vazhdon.
BE-ja akuzon Minskun për organizimin e këtyre lëvizjeve të emigracionit, lëshimin e vizave dhe fluturimet ajrore, për t’u hakmarrë për sanksionet perëndimore të vendosura vitin e kaluar ndaj regjimit të presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko.
Brukseli, i cili denoncon “trafikimin e qenieve njerëzore”, po përpiqet të frenojë ardhjen e refugjatëve dhe emigrantëve në Bjellorusi në kontakt me vendet, kryesisht në Lindjen e Mesme, për t’i bindur ata që të pengojnë njerëzit të hipin në fluturimet për në Minsk. BE njoftoi gjithashtu se javën e ardhshme do të vendosen sanksione të reja ndaj regjimit të Lukashenkos./ Abcnews.al