Nga Ema Shazivari
Java e dytë e muajit nëntor ka sjellë shtim të urgjencave mjekësore në spitalin Infektiv. Çdo 30 minuta pranë këtij spitali paraqitet një ambulancë. Të sëmurët, vinë kryesisht në gjendje të rëndë.
Jashtë rrethimit të infektivit, familjarët e pacientëve qëndrojnë të shqetësuar. Jashtë kamerave pohojnë se i kanë trajtuar në banesë për më shumë se një javë.
Infeksionistët shpesh kanë ngritur shqetësimin se pacientët së fundmi paraqitën në spital me vonesë. Kjo e vështirëson luftën e tyre me Covid. Mjekja Esi Duka, thotë se rreth 90% e pacientëve paraqitën në spital pas javës së parë të sëmundjes, kur prekja pulmonare është e lartë.
“Shumica e rasteve janë forma të rënda, që kanë qëndruar në kushte shtëpia mbi një javë,” thotë mjekja.
Por kur duhet tu telefonojnë urgjencën në numrin 127?
“Në rast se pacienti ka një histori mbi 5-6 ditore, pas një ekzaminimi që është bërë nga mjeku i familjes dhe pacienti fillon të ketë vështirësi në frymëmarrje është shenjë alarmi,” shprehet mjekja ndër të tjera.
Sipas mjekëve të infektivit, pacientët që i kanë marr të dy dozat e vaksinës anticovid, paraqesin klinikë më të lehtë të sëmundjes. Ata apelojnë për respektim të masave, dhe vaksinim, për të mos u përballur me një situatë të ngjashme të një viti më parë. /abcnews.al