Blinken paralajmëron Rusinë se do të ishte “një gabim i rëndë” pushtimi i Ukrainës

schedule14:40 - 11 Nëntor, 2021

schedule 14:40 - 11 Nëntor, 2021

Ministri i Jashtëm i Ukrainës ka marrë pjesë në bisedime strategjike në Uashington me Sekretarin amerikan të Shtetit. Takimi u njoftua ndërsa Ministria ukrainase e Mbrojtjes raportoi se rreth 90 mijë force ruse janë pozicionuar përgjatë kufirit dhe në pjesët e kontrolluara nga rebelët në Ukrainën lindore.

Ukraina festoi 30-vjetorin e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik në fund të gushtit. Ekspertët thonë megjithatë se Rusia ende përbën një kërcënim madhor për sigurinë, me rreth 90 mijë forca ruse të dislokuara për të dytën herë këtë vit në kufirin mes dy vendeve.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine njofton se Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mirëpriti të mërkurën në Departamentin e Shtetit Ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, të cilin e siguroi për mbështetjen e palëkundur amerikane.

“Nuk janë të qarta synimet e Moskës. Por e njohim skenarin e saj dhe jemi të shqetësuar se Rusia mund të përsërisë veprimet e 2014-ës, kur grumbulloi forcat përgjatë kufirit dhe shkeli territorin sovran ukrainas, me pretendime të pabaza se u provokua”, tha Sekretari Blinken.

Ministri Kuleba tha se agresioni rus ndaj Kievit do të përfundojë vetëm nëse Ukraina bëhet anëtare e plotë e organizmave perëndimore. Ukraina dëshiron të anëtarësohet në NATO, gjë që kundërshtohet me forcë nga Moska, e cila kundërshton edhe stërvitjet e përbashkëta ushtarake Ukrainë – NATO, duke i quajtur ato një kërcënim sigurie për Rusinë. Ministri Kuleba i tha shërbimit në gjuhën ukrainase të Zërit të Amerikës se Rusia po e përdor energjinë si armë ndaj Ukrainës dhe Evropës, dhe i bëri thirrje Gjermanisë të veprojë.

“Kriza energjitike që Rusia ka krijuar në tregun e Bashkimit Evropian është nga përdorimi i gazit si armë. Kujtojmë shumë mirë deklaratën e përbashkët SHBA-Gjermani: ‘Nëse Rusia fillon të përdorë energjinë si armë, Gjermania do të ndërmarrë veprime të vendosura’. I jemi mirënjohës Gjermanisë për mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, por çfarë po ndodh në të vërtetë?”, i tha Zërit të Amerikës Ministri Kuleba.

Me luftimet që vazhdojnë mes forcave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore, ky është një moment i rëndësishëm për bisedime sigurie mes Sekretarit Blinken dhe Ministrit Kuleba, i thotë Zërit të Amerikës ish-ambasadori William Taylor.

“Udhëheqësit rusë kanë bërë disa deklarata shqetësuese gjatë muajve të fundit, duke sinjalizuar se nuk e mendojnë Ukrainën si një vend të vërtetë. Dhe kjo është shumë kërcënuese nga ana e rusëve. Është pra një moment i mirë për Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën që të koordinohen, të hartojnë plane dhe të forcojnë marrëdhëniet mes tyre”, thotë ai.

Zoti Taylor i tha Zërit të Amerikës se herën e fundit që Rusia grumbulloi këtë vit forcat pranë kufirit me Ukrainën, Presidenti Joe Biden kundërshtoi me forcë dhe Presidenti rus Putin tërhoqi shumicën e forcave, por jo të gjitha paisjet ushtarake. Presidenti Biden gjithashtu priti në Shtëpinë e Bardhë në shtator Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy duke demonstruar sërish mbështetjen./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!