“Sali Berisha po luan blof! Nuk i ka mbledhur dot firmat e nevojshme për të thirrur Kuvendin Kombëtar” Kjo ka qenë deklarata e bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një komunikatë me gazetarët.
Mbështetësit e Berishës mbrëmjen e sotme dorëzuan disa dosje ku pretendohet se janë firmat e 4200 delegatëve të Kuvendit Kombëtar.
Nga selia e Partisë Demokratike, Bardhi u shpreh se ish-Kryeministri Berisha nuk ka arritur të mbledhë ¼ e firmave të delegatëve që të nisin procedurat për mbledhjen e Kuvendit.
Më tej Bardhi ka theksuar se Berisha shkeli nenin 47 të statutit. Teksa mbështetësit e Berishës kërkuan që të dhënat e firmëtarëve të mos hapeshin, Bardhi ka ironizuar duke thënë se demokratët nuk mund të mbyllen në kasafortë që të mos verifikohen.
“Pas 30 vitesh në PD, Sali Berisha i di mjaft mirë rregullat se si funksionon PD dhe si mblidhen organet. Ajo që tha sot nuk ka asnjë lidhje me statutin e PD, nuk ka asnjë lidhje me funksionimin demokratik të PD. U provua qartësisht që gjatë gjithë kësaj periudhe Sali Berisha ka luajtur një blof të madh me demokratët. Nuk ka arritur dot të mbledhë ¼ e firmave për të vënë në lëvizje procedurën për mbledhjen e Kuvendit. Nëse do t’i kishte mbledhur ai e di mjaft mirë procedurën se ku dorëzohen dhe si është procesi për thirrjen e Kuvendit Kombëtar.
Ajo që pamë sot për fat të keq është tallje e madhe me demokratët. PD është një institucion, funksionon mbi bazën e statutit dhe është fyerje e rëndë për çdo demokrat që të pretendohet se mbahen sekret anëtar nga organet statutore të Partisë Demokratike. Cilido që kërkon funksionimin demokratik të PD, do të duhet të ndjekë procedurën sipas statutit të partisë. Nuk ka Kuvend. Për të nisur procedurën e nisjes së Kuvendit, do të duhet të firmosin ¼ e anëtarëve. Procedurat nuk realizohen duke i mbajtur të dhënat e anëtarëve mbyllur në kasafortë”, deklaroi Gazment Bardhi. /abcnews.al/