Pas rritjes së tensioneve mes Polonisë dhe Bjellorusisë për krizën me emigrantë në kufirin e përbashkët, ka bërë që Rusia të dërgojë dy aeroplanë bombardues në hapësirën ajrore të Bjellorusisë.
Mediat e huaj bëjnë me dije se ministria ruse ka thënë se bombarduesit e tipit “Tu-22M3” e patrulluan hapësirën ajrore dhe ndihmuan në testimin e sistemit të përbashkët të mbrojtjes ajrore të Bjellorusisë e Rusisë.
Nga ana tjetër, Kremlini mohoi se qëndron prapa krizës në rritje, pasi Polonia e akuzoi Moskën se është organizatore e zhvillimeve në kufi me Bjellorusinë. Eskalimi ndodhi pasi dy grupe emigrantësh e kaluan kufirin nga Bjellorusia në Poloni. Sidoqoftë, ato u ndaluan nga zyrtarët polakë, që i akuzuan forcat bjelloruse për të shtëna në ajër.
Zhvillimet e fundit vijnë në kohën më të tensionuar deri më tani, pas muajve me migrim masiv në kufijtë e Bjellorusisë me Poloninë, Lituaninë e më pak edhe me Letoninë. Këto tri shtete shtrihen në kufirin lindor të Bashkimit Evropian.
Bashkimi Evropian e ka akuzuar regjimin e Presidentit Aleksander Lukashenko se po përpiqet të krijojë jostabilitet me një valë të re të emigrimit masiv drejt Bashkimit Evropian./abcnews.al