Gjykata e Lartë ka kthyer për rigjykim çështjen për tenderin e uniformave të policisë së Shtetit. Burime bëjnë me dije për ABC se GJL ka prishur vendimin e Gjykatës së Apelit e cila la në burg 7 të dyshuarit të përfshirë në skemën e abuzimit me këtë tender dhe një tjetër në arrest shtëpie, duke i cilësuar si masa ekstreme.
Për tenderin me vlerë 28 milionë euro janë arrestuar disa zyrtarë mes tyre dhe Edlira Naqellari, ish-drejtoreshe e blerjeve të përqendruara në Ministrinë e Brendshme.
Ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme Edlira Naqellari së bashku me ish-zyrtarët e tjerë, mes tyre anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Kreshnik Bejkaj, Ani Omuri, Klevis Hasani, Fatmir Demneri, Gëzim Mingaj dhe Mariglen Buzali akuzohen “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Nga hetimi kanë rezultuar veprime të kundërligjshme të bëra nga titullari i Organit Qendror Blerës, Drejtor i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari në bashkëpunim me anëtarët e Njësisë së Prokurimit si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të cilët, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, kanë favorizuar bashkimin e subjekteve juridike të shpallura fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik. /Abcnews.al