Zoran Zaev ka shtyrë dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe i kryetarit të Lidhjes Social Demokrate (LSDM).
Zaevi kishte paraqitur dorëheqjen më 31 tetor për shkak të humbjes së thellë të partisë së tij në zgjedhjet lokale.
Ai dorëheqjen nuk e kishte dorëzuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa mbrëmjen e 9 nëntorit, organet më të larta të LSDM-së vendosën që dorëheqja e Zaevit të shtyhet, për shkak të siç u tha, “gjendjes në të cilën ndodhet vendi”.
“Për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet vendi, Komiteti Qendror i partisë vendosi që të shtyhet dorëheqja. Organet e partisë vendosëm njëzëri shtyrjen e dorëheqjes deri në zgjidhjen e gjendjes në vend. Pas shumë vitesh regjim, shteti është ndërtuar mbi vlera të vërteta demokratike dhe liridashëse me parime të bashkëjetesës. LSDM-ja po ngrihet në lartësinë e asaj detyre dhe do të punojë në interes të qytetarëve”, ka deklaruar Pero Kostadinov, anëtar i kryesisë të LSDM-së.
Ai nuk saktësoi se për sa kohë do të shtyhet dorëheqja e Zaevit, por tha se Maqedonia e Veriut ndodhet para sfidave të mëdha, përfshirë dhe pritjet për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Kostadinov nuk foli as për nismën e opozitës për mocionin e votëbesimit të qeverisë apo nëse shumica ka vota të mjaftueshme për t’i mbijetuar mocionit.
Seanca e kuvendit është caktuar për të enjten, por jozyrtarisht bëhet e ditur se ajo mund të shtyhet për të shtunën për shkak të një nisme të re.
Partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE më 8 nëntor njoftoi se ka siguruar nënshkrimet e 61 deputetëve për votimin e mosbesimit të qeverisë, por njëri nga deputetët, Skënder Rexhepi nga partia Alternativa tërhoqi nënshkrimin me arsyetimin se nuk dëshiron të jetë pjesë e kësaj nisma ku bënë pjesë edhe “E Majta”, që akuzohet nga partitë shqiptare dhe LSDM-ja për qëndrimet anti-perëndimore dhe anti-shqiptare.
VMRO-DPMNE-ja i ka ofruar deputetit Rexhepi 19 deputetë të saj që të ndërmarrë një nisme pa partinë “E Majta”. Për këtë çështje pritet që gjatë 10 nëntorit të sqarohen pozicionet e palëve kur edhe do të dihet nëse seanca do të mbahet të enjten apo të shtunën.
Për rrëzimin e qeverisë nevojiten 61 vota të deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut./REL