Merkel takohet në Athinë me Presidentin e Greqisë, Pavlopoulos

schedule14:25 - 11 Janar, 2019

schedule 14:25 - 11 Janar, 2019

Në takimin e saj në Athinë me presidentin grek Pavlopulos, kancelarja gjermane Anxhela Merkel ka përmendur dhe marrëveshjen e Prespës, duke thënë se është një zhvillim pozitiv jo vetëm për Athinën dhe Shkupin, por për të gjithë.

Kancelarja gjermane Anxhela Merkel është takuar në Athinë me presidentin grek Prokopis Pavlopulos. Ky i fundit falenderoi Merkel për mbështetjen që i ka dhënë Greqisë gjatë periudhës së krizës financiare, si dhe diskutoi me të për krizën e refugjatëve.

Pavlopulos u shpreh se grekët kanë bërë shumë sakrifica dhe për gabime që nuk kishin bërë, dhe ishte i lumtur që kancelarja gjermane ishte e vetëdijshme për këtë.

Ai lavdëroi Merkel për qëndrimin që ka mbajtur ndaj krizës së refugjatëve duke i thënë se ajo ishte një lidere europiane që kishte treguar një kurajë të madhe.

Duke iu referuar marrëveshjes së Prespës të arritur mes Athinës dhe Shkupit, Merkel u shpreh se besonte se kjo marrëveshje është një zhvillim pozitiv jo vetëm për Greqinë dhe Maqedoninë Veriore por për të gjithë.

Por kreu i shtetit grek shfrytëzoi rastin që të përsëriste kërkesën e Greqisë për dëmëshpërblimet e krimeve të luftës të nazistëve duke i kërkuar që çështja të zgjidhet me anë të një forumi juridik sipas vlerave kulturore ndërkombëtare dhe europiane.

Merkel nga ana e saj, tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë përmirësuar ndjeshëm duke e vendosur greqinë në një fazë të re, në të cilën Berlini është i gatshëm ta mbështesë.

Ndërsa për sa i përket krimeve të nazistëve ajo tha se gjermanët pranojnë përgjegjësinë e tyre për detyrimet historike, dhe është një cështje zemre mbështetja ndaj Greqisë për të mirën e të dyja vendeve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!