Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se javën e ardhshme do të përparojnë me një tjetër draft-ligj, duke njoftuar nismën e re të demokratëve.
Në një prononcim për mediat jashtë selisë blu, Basha tha se në ligjin anti-mafia do të përfshijnë nene kundër oligarkisë.
“Por vëmendja juaj sot duhet të përqendrohet edhe në një lajm tjetër që i shtohet vettingut të politikanëve. Javën e ardhshme ne do të përparojmë me ligjin e formuluar prej kohësh, draftligjin e formuluar prej kohësh, për të përfshirë në kuadrin ligjor anti-mafia, pra në ligjin anti-mafia, edhe nene kundër oligarkisë.,” tha Basha.
Lexo edhe: Zgjedhjet në FRPD, Basha: Mandati i kryetarit ka skaduar prej dy vitesh
Kryedemokrati komentoi gjithashtu edhe procesin zgjedhor në Forumin Rinor të Partisë Demokratike. “Sajesë e fabrikuar për interesa personale”, i cilësoi ai akuzat e hedhur ndaj tij, se vendimi për zgjedhjet në Forumin Rinor të Partisë Demokratike erdhi pasi kreu i kësaj organizate Belind Këlliçi ka deklaruar se do të marrë pjesë në “Foltoren” e Berishës.
Kujtojmë se shpallja e zgjedhjeve për kryetarin e ri të Forumit Rinor të Partisë Demokratike ka agravuar edhe më shumë situatën në selinë blu. Kreu aktual i FRPD, Belind Këlliçi doli kundër vendimit të Bashës, duke e cilësuar atë si nul. g.v/abcnews.al


