Prej 2 javësh asnjë gjurmë për të, lëvizjet e fundit të biznesmenit

schedule12:44 - 5 Nëntor, 2021

schedule 12:44 - 5 Nëntor, 2021

Zhduket prej dy javësh biznesmeni i një fabrike inertesh në Kamzë. Bëhet fjalë për 43 vjeçarin Ruzhdi Hoxha, baba i dy fëmijëve. Mbrëmjen e 24 tetorit, djali i tij ka denoncuar në komisariatin numër 5 largimin e të atit nga banesa duke pohuar se prej 3 ditësh nuk kishte mundur të komunikonte me të.

Pas denoncimit, një grup oficerësh kanë zbuluar personat e fundit që kanë takuar dhe kanë parë 43 vjeçarin Hoxha. Njëri prej tyre rezultoi të ishte bashkëmoshatari i tij, Ferdinand Rrushi, i njohur edhe me emrat Alfred e Fredi Rrushi. Ai u shoqërua për t’u marrë në pyetje. Para grupit hetimor 43 vjeçari Rrushi tha se bashkë me një shok tjetër të tyre ndodheshin në një lokal në Kamzë duke konsumuar kafe. Sipas tij, Ruzhdiu i kishte kërkuar që ta çonte deri në Fushë Mëzezë dhe pasi e ka lënë atje, nuk kishte pasur më asnjë kontakt me të. Por nga verifikimi që policia bëri ndaj këtij personi rezultoi të ishte person në kërkim. Gjykata e Genovas në Itali e kishte dënuar për trafik droge. Rrushi u arrestua me qëllim ekstradimi, por njëkohësish është i dyshuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Ruzhdi Hoxhës.

Në sajë të hetimeve për gjetjen e biznesmenit, policia ka shoqëruar më shumë se 10 persona, por pas deklarimeve ata janë lënë të lirë.

Familjarët e Ruzhdi Hoxhës kanë pohuar se i afërmi i tyre ishte larguar të paktën edhe dy herë të tjera nga banesa, por ishte kthyer pas dy ditësh.

Në sajë të hetimeve, ka rezultuar se kamerat kanë fiksuar targat e mjetit të përdorur nga Rrushi e Hoxha, që të ketë pasur lëvizje edhe në zonën e Zall Herrit. Pak ditë më parë, në komisariatin numër 4 një person ka denoncuar se ka gjetur në rrugë, pranë Shkollës së Bashkuar një celular. Nga verifikimet dyshohet se ky aparat i përket biznesmenit Ruzhdi Hoxha. Hetuesit dyshojnë se celulari mund të jetë hedhur në këtë zonë, për të shpërqëndruar hetimet e policisë.

Ngjarja është referuar në prokurori për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”. Si pistë kryesore po hetohet ajo e rrëmbimit dhe zhdukjes për shkak të borxheve që ka pasur Hoxha, ndërsa biznesi i tij ka qenë drejt falimentimit.

/abcnews.al/