Vettingu i gjykatësve e prokurorëve në Shqipëri shihet si gur themeli për çrrënjosjen e korrupsionit në drejtësi. Juristë të rinj kanë marrë shqyrtim mënyrën e kryerjes së vettingut në drejtësi. Cilat janë gjetjet e tyre?
Kur vettingu nisi në pranverën 2017, pritshmëritë e qytetarëve ishin të mëdha. Ata prisnin që brenda 5 viteve të mandatit kushtetues, në sitën e vettingut të kalonin rreth 800 gjykatës dhe prokurorë, të cilëve organet e vettingut do t’u verifikonin ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë e tyre profesionale. Po ashtu vettingu i gjykatësve dhe prokurorëve në Shqipëri është parë dhe shihet si gur themeli për ꞔrrënjosjen e korrupsionit në sistemin gjyqësor, pavarësinë e tij nga politika dhe rikthimin e besimit të publikut në drejtësinë e reformuar. Por pritshmëritë nuk janë plotësuar. Deri tani në sitën e vettingut janë vendosur vetëm një e treta e 800 gjykatësve dhe prokurorëve të Shqipërisë dhe 62 përqind prej tyre, sipas Raport Progresit 2021 të Komisionit Europian për Shqipërinë janë shkarkuar apo kanë dhënë dorëheqje.
Vështirë, pothuajse e pamundur, që brenda 8 muajve që kanë mbetur deri në qershor 2022, kur mbaron afati kushtetues i ligjit të vettingut, të rivlerësohen nga vettingu rreth 530 gjykatës dhe prokurorë. Në këtë situatë, Parlamenti nisi në fillim të kësaj jave, (01.11) procedurat për nismën ligjore të amendimit të ligjit kushtetues të vettingut për të zgjatur mandatin e tij pesëvjeꞔar deri në fund të vitit 2024. Nisma ligjore vjen nga maxhoranca socialiste, e mbështetur fuqimisht nga BE dhe SHBA.
Vettingu, politika dhe shoqëria
Së fundmi një grup prej pesë juristësh të rinj kanë kryer një studim shkencor të bazuar në monitorimin e vendimeve gjyqësore të vettingut gjatë dy viteve 2018-2020, me të cilin kanë fituar gradën “Master i Shkencave në të Drejtën Publike”. Studimi hedh dritë mbi atë sesi është kryer rivlerësimi i gjykatësve dhe prokurorëve, si janë zbatuar në praktikë kriteret e rivlerësimit dhe sesi vettingu po kontribon në pavarësisë e gjyqësorit nga politika, profesionalizmin dhe besueshmërinë e publikut në drejtësinë e re.
“Vettingu vjen në ketë studim shkencor në gjithë dimensionin e tij, si një aspekt thelbësor që po trondit për herë të parë korrupsionin në gjithë shoqërinë shqiptare. Gjetjet nga monitorimi i vendimeve të tij synojnë të kontribojnë në përshpejtimin e procesit të vettingut që pritet të sjellë një kulturë tjetër në shoqërinë shqiptare”, thotë për DW, Prof. Aurela Anastasi, drejtuesja shkencore e studimit, pedagoge e të drejtës kushtetuese në Fakultetin Juridik, Universiteti i Tiranës.
Ajo thekson se kultura e re antikorrupsion kërkon disa premisa që të zërë vend dhe të jetë mbizotëruese. „Rezultatet e vettingut duhet të sjellin reflektime nga e gjithë shoqëria, sektorët e tjerë dhe sidomos nga politika. Kjo e fundit duhet të reformojë tërësisht qasjen e saj ndaj gjyqësorit dhe luftës kundër korrupsionit. Vettingu po vendos standarte sesi nuk mund të jetë dhe nuk mund të sillet një gjykatës ose prokuror që të mos bëhet lehtësisht subjekt presionesh, ndërhyrjesh dhe korruptimi,” thotë për DW, Prof. Aurela Anastasi. Ajo sqaron, se „vettingu nuk është një proces që ndëshkon gjyqtarin apo prokurorin e korruptuar. Ndëshkimi vendoset nga një proces penal”.
Kriteri i pasurisë: A kryhet një proces i rregullt ligjor?
Gjetjet në studimin shkencor në fjalë janë përqëndruar në zbatimin e tre kritereve kryesore të rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve: origjina e pasurisë, pastërtia e figurës dhe aftësitë profesionale. Era Gjata, pjesëtare në grupin e juristëve që kryen studimin shkencor në fjalë thotë për DW, se kriteri i origjinës së pasurisë “synon të vlerësojë pasuritë e gjykatësve dhe prokurorëve dhe të verifikojë ligjshmërinë e krijimit të tyre.” “Ka denoncime për një nivel të lartë të korrupsionit në sistemin gjyqësor, përfshirë edhe shuma të majme parash, dhënë gjyqtarëve dhe prokurorëve për mbyllje çështjesh. Nga 74 vendime gjyqësore të monitoruara në kuadër të këtij studimi, 65 i përkasin subjekteve të rivlerësuara për kriterin e pasurisë”,thekson Era Gjata për DW.
Studimi konstaton mungesë fleksibiliteti dhe arsyetimi objektiv, kur është fjala për të dhëna që nuk është e mundur të sigurohen për të provuar ligjshmërinë e pasurive apo raste kur trupi gjykues i organeve të vettingut nuk ka mbajtur parasysh sjelljen korrekte dhe kontributin profesional të subjekteve të rivlerësimit. “Është fjala për të dhëna përpara 15 vitesh, kur sistemi bankar dhe vetë shteti në Shqipëri nuk kanë qenë kaq të konsoliduara sa tani për të mundësuar një panoramë të qartë të të ardhurave. Kolegji i Posaꞔëm i Apelimit, (KPA) ku drejtohen gjykatës dhe prokurorë të rrëzuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, (KPK) ka bërë interpretime strikte, të ngurta, pa patur parasysh faktin që për gjykatësit dhe prokurorët vettingu është një proces i panjohur dhe i vështirë. Në bazë të gjetjeve nga studimi shkencor i grupit tonë rekomandojmë që masa e shkarkimit nga detyra të shihej si mundësia e fundit, kur çdo gjë tjetër është në përputhje me ligjin dhe vetën ka mungesa të dhënash financiare nga e kaluara”, thotë për DW, Era Gjata.
Metoda jo unike
Mospërdorimi i një metodologjie të unifikuar në analizën financiare të gjykatësve dhe prokurorëve si edhe mungesa e transparencës nga organet e vettingut janë gjetje të tjera të studimit shkencor të grupit të juristëve të rinj. “Ka rëndësi publikimi i mënyrës së llogaritjes së pasurisë së subjekteve të rivlerësimit dhe i shpjegimeve përkatëse krahas publikimit të vendimit gjyqësor të vettingut. Përdorimi i një metodologjie të unifikuar në kryerjen e analizës financiare të subjekteve të vettingut do të përmbushte kriteret për një proces të rregullt ligjor në përputhje me standardet ndërkombëtare”, thotë për DW, Era Gjata.
Drejtësi për qytetarin apo drejtësi popullore?
Për juristin Ledio Alite, një pjesëtar tjetër i grupit që ka kryer këtë studim, goditja e sistemit gjyqësor me elemente korruptive është edhe thelbi i parimit të paanshmërisë. Në mangësitë e nxjerra në dritë nga studimi, ai ndalet tek filozofia utilitariste ku po mbështetet vettingu. “Diskrecioni i gjyqtarit lë shumë hapësira për interpretim prandaj theksi është vënë në kriterin e pasurisë. Mendoj që në thelb ky është një aksion utilitarist që synon të gjejë zgjidhjen praktike të problemit. Por, me këtë filozofi, rrezikohet të kalohet edhe në paragjykime, dhe siç thotë një shprehje e urtë: “me të thatin, të digjet edhe i njomi”. Ky është dhe thelbi i kritikës tonë ndaj filozofisë së kësaj reformës në drejtësi. Dilema që shtrohet në këtë rast është: “Drejtësi për qytetarin apo drejtësi popullore?” shtron pyetjen Ledio Alite në bisedë me DW.
Ai thekson që “shteti i së drejtës është i ndërtuar mbi rregulla dhe disiplinë, kështu që burimi i të gjitha të mirave materiale të shtetit dhe qytetarëve me sistemin e ri gjyqësor synohet të mos jetë asgjë tjetër përveꞔ punës së ndershme.”
Pastërtia e figurës – kriter i anashkaluar
Edhe pse ky kriter në rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve është thelbësor ai shfaqet i anashkaluar në krahasim me kriterin e pasurisë që ka marrë vëmendjen kryesore gjatë procesit të vettingut.
“Nga monitorimi i 74 vendimeve gjyqësore të vettingut, në harkun kohor të dy viteve, rezulton që vetëm në 20 prej tyre është rivlerësuar kriteri i pastërtisë së figurës së gjykatësve dhe prokurorëve”, thotë Klea Cahani, pjesëtare në grupin që kreu studimin. Studimi nxjerr në pah, se në zbatimin e kriterit të pastërtisë së figurës rivlerësimi është përqëndruar në marrëdhëniet ose jo të gjykatësit apo prokurorit me persona të përfshirë në rrjetet e krimit të organizuar.
Kriteri i aftësive profesionale është më i papërfilluri në krahasim me vlerësimin e pasurisë dhe kontrollin e pastërtisë së figurës. Nga monitorimi rezulton që nga 74 vendime gjyqësore të vettingut vetëm në 19 prej tyre është rivlerësuar ky kriter.
Gjetjet në studimin në fjalë përfshijnë edhe raste kur vettingu është bërë bazuar vetëm në një kriter. “A është i mjaftueshëm rivlerësimi në bazë të vetëm një kriteri për të përmbushur një proces të rregullt ligjor, që është një ndër të drejtat bazë të gjykatëve dhe prokurorëve në procesin e vettingut? Ne mendojmë që jo. Rrivlerësimi duhet të përfshijë tre kriteret: pasurinë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale,” thotë për DW , Silvana Marku, pjesëtare e grupit që kreu studimin shkencor.
Dorëheqjet zvarrisin procesin
Gjykata Kushtetuese u njohugjykatësve dhe prokurorëve që do të rivlerësohen nga vettingu të drejtën të japin dorëheqje në çdo kohë edhe pse ligji kushtetues i vettingut kishte parashikuar një afat të kufizuar. “Kjo gjë solli zgjatjen e procesit të rivlerësimit dhe humbjen kohë me gjykime të gjata që përfundojnë në dorëheqje. Këto dhe faktorë të tjerë, kanë ndikuar në ngadalësimin e ritmeve të procesit të vetingut” thotë për DW, Besjan Kurdari, një tjetër pjesëtar i grupit që kreu studimin shkencor.
Ai thekson që “dispozitat në Kushtetutë dhe në ligjin e vettingut, që parashikojnë dorëheqjen nuk e kanë arritur qëllimin për të përshpejtuar procesin. Përkundrazi, dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve vijojnë të jepen pas përfundimit të hetimeve në kuadër të procesit të vettingut duke u bërë shkak për ngadalësimin e tij me muaj, madje edhe me vite të tëra” thotë për DW, Besjan Kurdari.
Vota e opozitës për vazhdimin e vettingut
Gjetjet dhe rekomandimet e nxjerra nga skanimi i vetingut prej juristëve të rinj janë mundësi për të përmirësuar procesin e tij ligjor. Procedurat ligjore që sapo nisi parlamenti për miratimin e ndryshimeve kushtetuese për të zgjatur mandatin kushtetues të vettingut deri në dhjetor 2024, koha kur parashikohet të përfundojë rivlerësimi i të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve po ndeshet që në fillim me vështirësi. Opozita parlamentare, e kryesuar nga PD nuk i vlerëson si emergjente këto ndryshime kushtetuese dhe konsideron prioritar hartimin dhe miratimin e ligjit kushtetues për vettingun e politikanëve.
Por vota pro e saj është e domosdoshme. Ndryshimet kushtetuese për të zgjatur mandatin e vettingut kërkojnë votë të cilësuar, pra të 94 deputetëve, numër qw maxhoraca socialiste me 74 deputetë nuk e arrin dot pa votën pro të opozitës./DW