Miliona amerikanë që punojnë për kompanitë me 100 ose më shumë punonjës do të duhet të vaksinohen kundër Covid-19 deri më 4 janar ose t’i nënshtrohen testeve diagnostikuese një herë në javë, me urdhër të qeverisë amerikane.
Administrata e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë ka deklaruar se kompanitë që nuk respektojnë urdhrin do të përballen me gjoba deri në 14,000 dollarë. Rregullat e reja, të miratuara nga Presidenti Joe Biden në shtator, do të zbatohen për rreth 84 milionë punonjës në bizneset e mesme dhe të mëdha, megjithëse është e paqartë se sa prej tyre janë të pavaksinuar.
Rregulla më të rrepta do të zbatohen për 17 milionë punonjës të tjerë që punojnë në azile, spitale dhe shërbime të tjera të financuara nga programet Medicare dhe Medicaid. Këta punonjës nuk do të kenë mundësi të testohen por do të duhet të vaksinohen. Publikimi i rregullave vjen pas konsultimeve maratonë të Shtëpisë së Bardhë me grupe biznesi, sindikata dhe organizata, raporton abcnews.al
Agjencia për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (OSHA) i hartoi këto rregulla për të mbrojtur punonjësit. Administrata Biden tani do të përballet me një sfidë të menjëhershme nga zyrtarët republikanë të cilët janë të gatshëm të çojnë presidentin amerikan në gjykatë.
Më shumë se 30 republikanë që janë në postin e prokurorëve të përgjithshëm kanë thënë tashmë se planifikojnë të padisin presidentin, duke argumentuar se vetëm Kongresi mund të miratojë ndryshime të tilla gjithëpërfshirëse në raste emergjence.
/abcnews.al