Vokshi për abuzimin e të miturës në Kamëz: Nuk u denoncua nga shkolla, Kushi duhej të shkarkohej

schedule12:03 - 4 Nëntor, 2021

schedule 12:03 - 4 Nëntor, 2021

Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, këtë të enjte nga foltorja e Kuvendit ka komentuar gjëndjen e sistemit arsimor në vendin tonë. Sipas saj deri më tani nuk ka asnjë masë të shtuar në këtë sistem për të mbrojtur  fëmijët dhe se siguria e tyre është dështimi më i madh, duke sjellë shifra konkrete.

Ndër të tjera  Vokshi ka sjellë në vëmendje abuzimin e 6 vjeçares nga i ati në Kamëz dhe tha se rasti nuk u referua nga shkolla, por privatisht e sipas saj kryeministri Edi Rama duhet ta kishte shkarkuar menjëherë ministren e Arsimit.

 

Çdo ditë në shkallët e kryeministrisë apo në komisionet parlamentare ministrat flasin për arritjet spektakolare ndërkohë që 51% e shqiptarëve janë në kushtet ekstreme të varfërisë, ne po harrojmë çështje jetike. Po harrojmë të flasim për sigurinë e fëmijëve në shkolla. 4 herë ministrja Kushi ka refuzuar të vijë në komisionin e shëndetësisë për të raportuar. 4 herë e ka shkelur kushtetutën në dy javë. Më qesharakja është se ndiqte live mbledhjen, pra kohë kishte, por s’kishte dëshirë. Çfarë e shtynte ministren Kushi të shkelte kushtetutën?

Edi Rama nuk e do arsimin, nuk i pëlqen të arsimuarit. Dështimi më i madh është siguria e fëmijëve në shkolla. 81 raste dhunimi në shkolla nga prilli deri në qershor, 44 raste dhunë seksuale. Çfarë u bë me programet e trumbetuara, sistemi ka dështuar. Në Kamëz një vajzë 6 vjeçe është dhunuar nga i ati. Rasti nuk është referuar nga drejtori i shkollës, vetëm falë një mësueseje rasti është referuar privatisht. Asnjëri nuk ka referuar rastin e vajzës. Në një rast të tillë, kryeministri duhet ta kishte shkarkuar menjëherë ministren Kushi. Sistemi arsimor nuk po i mbron fëmijët. Ka dështuar dhe për këtë mban përgjegjësi ministrja Kushi që as tani nuk është në sallë.

Hetim urgjent, profesional të rastit të Kamzës. Duhet të shkundet sistemi. Kërkoj që të ngrihet menjëherë nënkomisioni për çështjet e grave dhe fëmijëve, do kërkoj një dëgjesë urgjente me institucionet”, është shprehur deputetja. /abcnews.al