Ato janë punëdhënës të mëdhenj në Gjermani. Kompanitë amerikane janë të përfshira edhe në blerje të mëdha. Gjermaninë si një vend biznesi ato e vlerësojnë më dobët se në vitin 2020, ndaj kërkojnë reforma.
Kompanitë amerikane nuk janë më aq të kënaqura me Gjermaninë sa vitin e kaluar. Ky është rezultati i sondazhit të fundit të kryer nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Gjermani (AmCham Germany) me 50 kompanitë amerikane me qarkullimin më të lartë në vend. Gjermania si vend biznesi vlerësohet pozitivisht, por vetëm me një 2.4. Në vitin 2020 vlerësimi ishte 1.9.
Masat e ndryshme në krizën e koronas ato i vlerësuan pozitivisht. Për shembull, kompensimin për punën me orar të reduktuar, paketën e shpëtimit për të vetëpunësuarit dhe sipërmarrjet e mesme, paratë shtesë për familjet dhe ndihmën për artistët e kanë forcuar Gjermaninë si vend për biznesin. Megjithatë, nga ana tjetër, ka pasur shumë pak investime shtetërore, ankohen kompanitë amerikane dhe administrata gjermane ka mbetur prapa në digjitalizim.
Për këtë arsye, kompanitë amerikane që operojnë në Gjermani kërkojnë reforma nga qeveria e re gjermane. Është e rëndësishme që tani të përcaktohet kursi që kompanitë amerikane të vazhdojnë të investojnë në Gjermani si një vend biznesi, thotë Simone Menne, Presidente e Dhomës Amerikane të Gjermanisë. “Qeveria e ardhshme gjermane duhet të zhvillojë ide të reja që nxisin inovacionin dhe aftësinë për konkurrencë në Gjermani në një mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë. Në qendër të vëmendjes duhet të jetë ndryshimi i klimës, transformimi digjital dhe përballimi i pasojave ekonomike dhe sociale të pandemisë së koronas”, thotë Menne.
Në vitin fiskal 2020, pandemia la gjurmë edhe në kompanitë më të mëdha amerikane në Gjermani. Qarkullimi i përgjithshëm i 50 më të mirëve ra me 1.4% në 189 miliardë euro. Vërtet që disa sektorë, si shitja me pakicë, programet kompjuterike, logjistika dhe farmaceutika u rritën ndjeshëm, por të tjerë humbën terren.
Amazon kryeson renditjen e kompanive amerikane në Gjermani
Ndër kompanitë me qarkullim më të madh është Amazon Gjermani, me 25.9 miliardë euro të ardhura, e ndjekur nga prodhuesi i automjeteve Ford, me 15.7 miliardë euro shitje. Microsoft-i gjithashtu përfitoi nga nxitja e digjitalizimit për shkak të koronas dhe shënoi një xhiro prej 6.76 miliardë euro. Kompanitë farmaceutike që prodhojnë pajisje laboratorike ishin gjithashtu në gjendje të shënonin rritje (Thermo Fisher dhe Abbott). Nga ana tjetër, kompanitë amerikane në sektorin e lëvizshmërisë vuajtën pasojat globale të pandemisë dhe ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit. Shitjet te ato kanë rënë në muajt e fundit.
Në përgjithësi, 50 kompanitë më të mëdha amerikane që operojnë në Gjermani punësuan më shumë punonjës në vitin e koronas 2020. Numri i tyre u rrit me 2.300 në 276.500. Investimet e huaja direkte nga kompanitë amerikane në Gjermani po rriten fuqishëm edhe përkundër pandemisë së koronas. Për kompanitë amerikane, Gjermania mbetet një treg interesant, gjë që dëshmohet edhe nga disa blerje të mëdha, tha zëvendëspresidenti i AmCham, Dhomës Amerikane të Gjermanisë, Frank Riemensperger.
Rimëkëmbja në horizont
Kompanitë në sektorin e inxhinierisë mekanike, lëndëve të para, energjisë dhe kimikateve, veçanërisht, patën shitje më të larta në fillim të viti 2021 sesa në 2020. Nga lehtësimi gjatë pandemisë përfituan edhe mallrat e konsumit.
Me 63.000 punonjës, McDonald’s është punëdhënësi më i madh ndër kompanitë më të mëdha amerikane në Gjermani.
“Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse zhvillimi është po aq i qëndrueshëm sa duket të jetë në sektorët e tregtisë dhe shërbimeve”, thotë Riemensperger. “Pandemia e ka bërë të qartë se për konkurrencë të qëndrueshme nuk mund të anashkalohet transformimi digjital. Digjitalizimi i plotë i zinxhirit të produktit dhe shërbimit, prodhimit dhe shpërndarjes është një detyrë gjigante: me të tani duhet të përballen kompanitë në të dyja anët e Atlantikut.
Detyrat më të rëndësishme transatlantike
50 kompanitë kryesore amerikane e konsiderojnë mbrojtjen e klimës dhe mjedisit dhe heqjen e doganave si çështjet më të rëndësishme transatlantike. Më shumë se gjysma e kompanive të anketuara e vlerësojnë menaxhimin e qeverisë amerikane për mbrojtjen e klimës dhe mjedisit si “afër zgjidhjes”. Përkushtimi i administratës së re amerikane ndaj marrëveshjes së Parisit për klimën ka kontribuar për këtë. Forumet transatlantike të krijuara së fundmi, si Partneriteti Gjermano-Amerikan për Klimën dhe Energjinë dhe Këshilli i Tregtisë dhe Teknologjisë BE-SHBA, po ecin në rrugën e duhur, për t’i zhvilluar së bashku mbrojtjen e klimës dhe tregtinë transatlantike./DW