Totenhemi mundi Çelsin në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Ligës në Angli. Gjithsesi, pati polemika të shumta pas derbit të Londrës në stadiumin “Uembli”.
Dueli i parë shkoi në favor të vendasve. Totenhem Hotspuri e konfirmoi veten, të paktën për momentin, si skuadra më e mirë e Londrës, këtë herë edhe në Kupën e Ligës.
Të mbiquajturit “gjelat” triumfuan minimalisht 1-0 në gjysmëfinalen e parë ndaj Çelsit, dhe bënë një gjysmëhapi drejt objektivit për të fituar më në fund një trofe, veçse polemikat sikur e errësuan suksesin.
Goli i vetëm në “Uembli” u shënua me 11-metërsh, madje pas një penalltie të dhënë me ndihmën e VAR-it.
Gjyqtari Majkëll Oliver fillimisht nuk sinjalizoi asgjë, ashtu siç kishte hedhur poshtë pretendimet e mëparshme të Totenhemit për penallti, por vendasit protestuan dhe ai kërkoi ndihmën e teknologjisë.
VAR-i vendosi për ndëshkim maksimal, dhe Harri Kejn nuk gaboi nga 11 metra larg, duke vendosur fatin e ndeshjes, por ende jo fatin e kualifikimit.
Trajneri i Çelsit, Mauricio Sarri, u shpreh shumë i pakënaqur për vendimin.
“Pas ndeshjes, e pashë aksionin e penalltisë në kameran tonë, dhe mund të them se ishte pozicion jashtë loje, – tha italiani, – kamera jonë ishte në vijë të drejtë me Harri Kejnin. Për fat të keq, vijërojtësi ndaloi dhe mbrojtësit tanë menduan se do të jepej pozicion jashtë loje. Në Angli nuk dinë ta përdorin VAR-in, ndaj gjyqtarët duhet të ndjekin aksionin kur nuk janë të sigurt”.
Edhe trajneri i Totenhemit, Mauricio Poçetino, i dha të drejtë në një farë mënyre, kolegut të tij.
“E vërteta është se VAR-i nuk më pëlqen, – u shpreh argjentinasi, – Këtë herë ne përfituam prej tij, por nga në Kupën e Botës dhe në ligën spanjolle kanë dalë shumë pakënaqësi. Nuk jam kundër teknologjisë, sepse nuk jam kundër përparimit, por rregullat duhet të jenë më të qarta. Nuk më pëlqen të fitoj në këtë mënyrë”.
Çelsi ishte i pafat në “Uembli”, pasi goditi dy herë shtyllën, por nuk arriti të shënonte.
Blutë e Londrës kanë ende shpresë për të përmbysur rezultatin në “Stemford Brixh”, por sezoni bëhet gjithnjë e më i vështirë, sidomos në mungesë të një qendërsulmuesi.
Totenhemi, ndërkaq, shpreson të arrijë finalen dhe të fitojë trofeun e parë që nga vitit 2008. /abcnews.al