Jo vetëm tangërllëku, disa shpjegime shkencore se përse shoferët e rinj janë më të rrezikshëm në rrugë

schedule12:45 - 1 Nëntor, 2021

schedule 12:45 - 1 Nëntor, 2021

Kohët e fundit në vend kanë ndodhur një numër i madh aksidentesh me pasoja të rënda, ku drejtues të makinave kanë qenë të rinj. Kujtojmë këtu aksidentin e 24 qershorit në aksin Fier-Vlorë ku u shua familja Gushi, makina e të cilëve u përplas nga pas prej Audi-t luksoz të 22-vjeçarit Igli Madani.

Një tjetër rast i ngjashëm, për fat të mirë me pasoja më të lehta, ishte aksidenti i disa muajve më parë në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë, ku një të rejë iu këput këmba pasi u përplas nga makina e drejtuar prej 19-vjeçarit Jehon Breçani.

Përveç papërgjegjshmërisë së të rinjve, të prindërve të tyre apo edhe të institucioneve shtetërore, ka edhe disa të dhëna shkencore që shpjegojnë se përse shoferët e tinj janë më të prirur për të bërë aksidente.

Sipas një studimi të kryer nga OECD, shoferët e moshës 18-24 vjeç kanë dy deri në tre herë më shumë rrezik për t’u përfshirë në një aksident në krahasim me shoferët më me përvojë. Kur në këto aksidente vdesnjë shofer i ri, bashkë me të vdesin mesatarisht  1.3 persona që ndodhen në makinë, në një mjet tjetër ose në vendin e aksidentit.

Aksidentet nga drejtuesit e rinj janë të ndryshëm nga ato të drejtuesve më me përvojë, pasi ndodhin gjatë natës me ose pa përfshirjen e një automjeti tjetër dhe janë thjesht për shkak të mungesës së përvojës.

Shkaktarët më të rëndësishëm të aksidenteve janë mungesa e kontrollit të makinës dhe shpejtësia e lartë.

Edhe konsumimi i alkoolit në sasi të vogla ka një ndikim më të madh tek të rinjtë sesa tek shoferët me përvojë. Dhe sigurisht duhet theksuar se aksidentet rrugore janë shkaku kryesor i vdekjeve për njerëzit e moshës 18 deri në 24 vjeç në vendet e OECD.

Faktorët kryesorë që ekspozojnë drejtuesit e rinj ndaj këtij rreziku janë papjekuria, mungesa e përvojës, disa probleme shëndetësore të drejtuesve të mjeteve, por edhe mënyra e jetesës që lidhet me moshën dhe gjininë e drejtuesve të rinj, si qëndrimi vonë gjatë natës dhe lodhja fizike. Nga ana tjetër, vlen të përmendet se të rinjtë shpesh kanë një vetësiguri të rrezikshme sa i përket aftësive të tyre për drejtimin e makinës.

Faktoret e rrezikut

Hulumtimet biologjike tregojnë se në moshën 18 vjeçare vazhdojnë të zhvillohen zonat e trurit të njeriut që janë përgjegjëse për integrimin e informacionit dhe kontrollin e impulseve.

Kjo ka si pasojë zhvillimin e tyre biologjik, por edhe në një masë shumë të madhe zhvillimin e tyre shoqëror. Një element i rëndësishëm është se zakonisht në këtë moshë ata largohen nga ndikimet e prindërve dhe fitojnë më shumë pavarësi. Si rezultat, bashkëmoshatarët po bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm për ta, veçanërisht në zgjedhjet e stilit të jetesës.

Drejtuesit e rinj shpesh ngasin në orë me rrezik të lartë dhe në kushte me rrezik të lartë. Pra, ata ngasin natën, kanë shpejtësi të shtuar, nuk vendosin rripat e sigurimit.

Problemet e fillestarëve

Sigurisht, të mësuarit të makinës kërkon shumë praktikë përpara se të arrini nivele të larta. Për krahasim, aftësitë e drejtimit janë relativisht të lehta për t’u zotëruar në vetëm disa orë, por aftësi të tilla si parashikimi i situatave potencialisht të rrezikshme të trafikut kërkojnë vite praktikë.

Kërkesat e mjedisit rrugor janë të mëdha dhe duhet të ketë planifikim dhe modifikime të rrugës në varësi të të dhënave dhe situatave.

Drejtuesit e papërvojë duhet së pari të tregohen më të kujdesshëm në mënyrë që të kompensojnë mungesën e përvojës së tyre. Në realitet, megjithatë, është e kundërta dhe të rinjtë zakonisht tregohen më pak të kujdesshëm, për faktin se kjo grupmoshë priret të mbivlerësojë aftësitë e tyre dhe të nënvlerësojë kompleksitetin e situatës së trafikut.

Shoferët e rinj shpesh kanë probleme me drejtimin e automjetit, për shkak të përdorimit të alkoolit dhe drogës, lodhjes dhe shpërqendrimit. Krahasuar me shoferët me përvojë, alkooli ul shumë performancën e shoferit të ri.

Përdorimi i drogës po rritet në këtë grupmoshë, duke rezultuar në rritje të rrezikut për aksidente. Në veçanti, përdorimi i kombinuar i drogës dhe alkoolit çon në rrezik jashtëzakonisht të lartë të aksidenteve.

Të rinjtë ndikohen fuqishëm edhe nga mungesa e gjumit, kohëzgjatja e punës, etj. Këta faktorë çojnë në lodhje të shtuar, e cila mund të njihet si humbje energjie, reduktim i reagimit dhe rritje të mundësive për të fjetur në timon.

Shpërqëndrimi si shkak i gabimeve në drejtimin e automjetit është më i dukshëm për fillestarët sesa për ata më me përvojë. Përveç kësaj, të rinjtë shpesh përdorin celularin, gjë që ua pakëson vëmendjen gjatë drejtimit të automjetit. /abcnews.al