Në një reagim të qartë kundër qeverisë së vendit, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u shpreh në një intervistë për Uashington Post, se është gati të heqë taksën me Serbinë në rast se arrihet një marrëveshje përfundimtare.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për “Uashington Post” deklaroi ndër të tjera se Kosova është gati të shqyrtojë heqjen e taksës për produktet serbe. Deklaratë kjo që bie në kundërshtim me vendimin e qeverisë dhe qëndrimit të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj se Kosova do t’i heqë taksat vetëm pasi Serbia të njohë Kosovën. Në një postim në profilin e tij në Facebook, kreu i shtetit ka shpërndarë intervistën e tij për prestigjozen aamerikane.
Në Kosovë ka pasur menjëherë reagime, me anë të të cilave bëhet e qartë se heqja e taksës apo mbajtja në fuqi është një e drejtë që i takon vetëm qeverisë së vendit dhe jo Presidentit.
Nga ana tjetër Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në “Uashington Post” më 28 nëntor, mbrojti 100 për qind tarifat mbi mallrat serbe si një veprim mbrojtës “në emër të tregtisë së ndershme, sigurisë kombëtare dhe interesave të vendit. /abcnews.al

