Italia është goditur nga moti i keq duke shkaktuar të paktën dy viktima deri më tani dhe dëme të pallogaritshme. Por situata është larg përmirësimit. Medicane, që goditi Sicilinë gjatë ditëve të fundit pritet të godasë sërish vendin pasi stuhia që ka nisur nga lindja mund të përkeqësohet sot dhe veçanërisht gjatë ditës së nesërme, shkruan fanpage.it
Shërbimet meteorologjike kanë paralajmëruar gjithashtu për stuhi në ngushticën e Sicilisë dhe në jugperëndim të Detit Tirren. Rajonet bregdetare që priten të goditen janë Sicilia perëndimore dhe Sardenja lindore, por gjatë ditës priten reshje intensive me erëra të forta edhe në jug të Jonit, në pjesën perëndimore të Tirren dhe në kanalin e Sardenjës.
Ndërkohë në Katania të gjitha shkollat do të qëndrojnë të mbyllura për 48 orë, raporton abcnews.al
“Në 49 vite në këtë qytet nuk kisha parë kurrë fenomene kaq intensive. Nesër dhe të premten shkollat do të qëndrojnë të mbyllura gjithashtu edhe aktivitetet thelbësore tregtare të paktën për sa i përket Katanias, në mënyrë që kryebashkiakët e tjerë të bëjnë vlerësimet e duhura”, tha dje kryebashkiaku Salvo Pogliese.
Shkaku i Medicane është ndryshimi i klimës
Franco Colombo, nënkolonel i Shërbimit Meteorologjik të Forcave Ajrore, shpjegoi arsyet e uraganit mesdhetar duke i atribuuar ndryshimeve klimatike:
“Ndryshimi i temperaturave janë motori i vërtetë i këtyre fenomeneve të dhunshme. Vera e nxehtë dhe temperaturat e ajrit, gjithashtu më të larta për shkak të ngrohjes globale në zhvillim, janë shkaqet kryesorë të kësaj faze intensive të motit të keq.
Megjithatë, këto ngjarje do të bëhen gjithnjë e më të shpeshta në vitet në vijim. Trendi i ngrohjes globale nuk do të ndalet, në të ardhmen e afërt mund të shohim formimin e uraganeve të vërteta tropikale edhe në Mesdhe”./abcnews.al