Helmimi masiv në Krujë, 380 pacientë në spital për ndihmë mjekësore, banorët nisin të blejnë ujin

schedule15:26 - 26 Tetor, 2021

schedule 15:26 - 26 Tetor, 2021

Një ditë pas helmimit masiv në Krujë, banorët kanë nisur të blejnë ujin për konsum, për shkak të dyshimeve se helmimi është shkaktuar nga uji i pijshëm.

Gazetarja Ajgena Korbi raporton për ABC se brenda 72 orëve pritet të dalë edhe përgjigja e analizave për ujin që kanë konsumuar banorët.

Deri më tani janë kryer të gjitha analizat në burime. I gjithë qyteti i Krujës furnizohet nga dy burime të cilat ndahen në 6 depo.

Dyshimet janë se uji mund të jetë kontaminuar gjatë rrugës pasi nga analizat e kryera në burim ka rezultuar se ai nuk ka qenë i ndotur me elementë që mund të ketë sjellë helmimin masiv.

Që prej ditës së djeshme në urgjencën e spitalit të Krujës dhe pediatrisë janë paraqitur për të marrë ndihmën e parë mjekësore 380 qytetarë.

Ditën e sotme ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu si dhe deputetë të opozitës vizituan spitalin e Krujës duke ndjekur nga afër situatën. Manastirliu deklaroi në daljen për mediat se çdo gjë është nën kontroll dhe tashmë do të investigohet për shkakun e helmimit. m.v/Abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!