Nga Xhensila Kodra
Dhunimi dhe grabitja e biznesmenit Nazmi Çangu nga Nikla e Krujës tronditi dy ditë më parë opinion publik, ndërsa deri më sot ende nuk ka asnjë të arrestuar. Autorët duket se kanë mjaft të kujdesshëm sepse nuk kanë lënë shumë prova. Vajza e biznesmenit në dëshminë përpara grupit hetimor ka rrëfyer se autorët komunikonin me kufje.
Policia dhe prokuroria i ka kërkuar kompanive celulare që të zbardhë thirrjet telefonike përreth banesës së familjes Çangu ditën që ndodhi ngjarja, çka mund të ndihmojë deri në zbulimin e grabitësve.
“Nga komunikimi dukej sikur ishte nga zona e Laçit. Njëri prej tyre mori vëllain dhe e çoi në dhomën tjetër dhe e pyeste për çelësin e kasafortës. Dukej që ata e njihnin mirë familjen time. Ata na thanë “Do marrim borxhin që na ka babai juaj Nazmiu”. Nëse e shoh personin që ishte pa maskë e njoh, madje mund ta kem parë edhe herë tjetër, por nuk mbaj mend se ku” tha Xhelona Çangu.
Vajza e biznesmenit ka deklaruar para grupit hetimor se njëri prej autorëve ishte pa maskë. Ajo ka mundur ta shquaj atë. “Rreth orës 02:00 dëgjova babin të bërtiste dhe rënkonte, por mendova se ishte sëmurë. Hapa derën dhe aty pashë një person të gjatë, të armatosur, që më tha “pusho”. Ai u fut në dhomë ku ndodhesha me shoqen time e vëllain e mitur.
Na mori telefonat dhe i mbante në dorë. Ai thirri një tjetër person që ndodhej në katin e dytë. Ai që erdhi ishte i pamaskuar, i veshur me rroba të zeza, trup i shkurtër, i mbushur në fytyrë e me pak bark, me flokë ngjyrë kafe, afërsisht rreth 40 vjeç. Në këtë moment, personi tjetër i maskuar i tha “Vendose kapuçin more budalla”. Njëri prej tyre kishte kufje në vesh dhe komunikonte me personat e tjerë” shprehet Xhelona Çangu./ Abcnews.al