Prokuroria është në prag të rihapjes së vrasjeve më të fundit të ndodhura në qytetin e Lushnjës, shumica e të cilave janë trajtuar si ngjarje banale, ndonëse “backgraundi” i viktimave, ka qenë i dyshimtë dhe i lidhur njëfarësoj me bandën e Lushnjës. Por për çfarë po ndodhin herë pas here vrasjet dhe eliminimet në Lushnjë.
Për hetuesit, nuk është thjesht një hakmarrje e akumuluar nga i dyshuari Laert Haxhiu, por edhe një përplasje influencash me pasardhësit dhe të mbijetuarit që konsiderohen zgjatimet e grupit të vitit 1997.
Që Aldo Bare e krijoi organizatën me qëllim për t’u hakmarrë për vrasjen dhe dhunimin e kufomës së të vëllait Ramadan Shkurti (korrik 1997), kjo është një e dhënë e përsëritur ndër vite. Por gjykata dhe prokuroria më pas e konsideroi atë me një rol absolut në grupin që ishin shokë dhe të rinj të qytetit të Lushnjës.
Ai thërritej me nofkën “i madhi“; “profesori“; “kryetari“. Si bazë e grupit, ishte ndërtesa në pronësi të Aldo Bares, që mori emërtimin “Komisariati numër 2”, fare ngjitur me Komisariatin e Policisë së Lushnjës, teksa anëtarët lëviznin të armatosur dhe me uniformë policie me vetëm një qëllim, thekson asokohe prokuroria, “që të krijonin përshtypje në opinion se ata ishin të paprekshëm, ata ishin vetë shteti dhe se veprimet e tyre nuk mund të kundërshtoheshin prej askujt”.
Alfred Shkurti, i njohur ndryshe si Aldo Bare
Kjo krijoi një klimë terrori tek njerëzit e thjeshtë dhe mos besim pranë institucioneve, përmendet më pas në dosje duke iu dhënë kuptimin njerëzve të thjeshtë, se shteti ishin ata dhe jo komisariati i policisë.
Nën këtë klimë vepruan si krahu i kryetarit, Dritan Vila, Maksim Çela, Erion Cici, Petrit Lici, që më pas u deklaruan fajtorë dhe u dënuan për vrasjen e Bledar Haxhiut (i afërm i Leart Haxhiut, që tanimë po eliminon të afërm të grupit), Artan Sulçe, vrasjen e punonjësit të policisë, Klenit Bano, Nosh Gjolaj, Benard Linatopi, Alfred Pirra, vrasjen në tentativë të Bardhyl Kurtit.
Mes personave të dënuar si anëtarë të këtij grupi, ishte edhe Elton Mermali, i vrari më i fundit që ishte në çështjen e vrasjes së Haxhiut dhe Sulçes.
Por vrasja më terrorizuese e grupit, është eliminimi i Artur Dajës dhe shëtitja me kokën e tij në sheshin “Toka jonë” të qytetit të Lushnjës. Prokuroria citon se atë ditë grupi i drejtuar nga Aldo Bare, ku ishin të pranishëm Ilir Stërgu, Arben Boriçi, Enver Dondollaku, Leondard Prifti (i vrarë), shëtitën kufomën e Artur Dajës. Ata, të armatosur sipas fashikullit të vënë në dispozicion Gazetasi.al, deklaruan: “Shikoni kokën e Tur Dajës”.
Njëri ndër dëshmitarët, rrëfen se si e njohu të vrarin Artur Daja. “Gjatë vitit 1998, kam banuar ne Lushnjë, e kam njohur Artur Dajën, pasi djali im ka marrë motrën e tij. Mua më ka thirrur Boriçi dhe më ka thënë, më thuaj ku rri Tur Daja”.
Dëshmitari kujton për drejtësinë se nuk i dha përgjigje dhe disa ditë më vonë grupi i ndaloi tek këmbët me një automjet dhe njëri ndër ta, tha: “Do qash çunin”.
Aldo Bare, në kafazin e hekurt në gjykatë gjatë një seance gjyqësore
Disa ditë më vonë, ai pa me sytë e tij tmerrin, teksa po pinte kafe në qendër të qytetit. “Këta dilnin nga kafja e Najes, që ishte para shatërvanit në qendër dhe kishin kokën e Turit në një qeskë në dorë. Ishte Ben Boriçi, Ilir Stërgu dhe 4-5 persona të tjerë. Koka ishte në qese plastmasi dhe e dalluan të gjithë njerëzit. Të gjithë njerëzit që ishin aty thoshin që është koka e Tur Dajës”.
Daja i viktimës, kujton konfliktet mes Artur Dajës dhe Aldo Bares. Dëshmia mban datën 17 nëntor 2020 dhe është administruar nga gjykata e krimeve të rënda të asaj kohe.
Por frika e tij është e kuptueshme në këtë dëshmi, ku thekson se nipi i tij dhe Aldo, kishin qenë shokë dhe se më pas të motrës i ishte djegur shtëpia dhe për këtë arsye e terrorizuar, ajo ishte larguar duke jetuar për mëse një vit me familjen e tij.
Për këtë arsye, prokuroria në atë kohë, kundërshtoi dëshminë e dhënë në gjykatë, e cila u gjykua se ishte e cunguar nga frika e dëshmitarit prej Aldo Bares, që sakaq ishte sjellë nga Turqia dhe po gjykohej për krimet tronditëse, mes tyre edhe rrëmbimi i Lagunës së Karavastasë, për të cilën gati 60 peshkatarë firmosën shitjen për një shumë prej 60 mijë lekë të reja.
Kalimi i aksioneve, nga 90 aksionarët e shoqërisë së peshkimit, u krye brenda ditës – deklaron prokuroria në aktet hetimore në prani të një noteri, i cili dëshmoi se nuk kishte kuptuar asgjë dhe se ata që nënshkruan ishin të qetë.
Vëllait tim i vinin gjoba
Saimir Taullau, një nga personat që dëshmoi kundër grupit të Aldo Bares
Saimir Taullau, një tjetër dëshmitar, rrëfeu në atë kohë, se pasi doli nga burgu iku në Itali, ndërkohë që të vëllain tregtar ia vranë.
“Atij i vinin gjoba herë pas here Ilir Stërgu, Enver Dondollaku dhe Leonard Prifti, i bënin presion në telefon, i thoshin sikur unë do u bija atyre. Me sa më ka thënë vëllai, iu ka çuar 10 milionë lekë, ia ka dhënë Eduart Demirit, vëllai që është vrarë nuk na tregonte, pasi nuk donte t’na përziente. Herën e parë i vunë gjobë 500 mijë euro para se të vritej në vitin 2005, në vitin 2002 i vunë tritol vëllait tjetër, Bertit. Përpara se të vritej vëllai im Bakiu, ka folur me Drejtorin e SHIR-it, Xhevdet Zeqo dhe ai e ka drejtuar vëllain tim tek shefi i antiterrorist. Gjobën ja vunë për letrat e tokës në Tiranë”.
Por rrëfimi i dëshmitarit, tregon se sakaq banda, ndonëse ishte në burg, me shumë gjasë vijonte gjobitjet dhe presionet e për këtë arsye ishin vënë në dijeni autoritetet.
“Unë personalisht mbaj mend t’i kem dhënë 6 milionë lekë kunatit të Enver Dondollakut në vitin 2000-2001. Më ka dërguar Bakiu t’ia çoja, nuk e di pse ia çoi, sepse familja ime nuk kishte asnjëherë borxhe me ta. Unë kam ardhur në fillim të vitit 2000 nga Italia, gjatë gjithë kohës kam qëndruar në Lushnjë, pastaj kam ikur me vizë në Greqi me nga tre katër muaj. Unë paratë i kam çuar tek kunati i Enver Dondollakut. Ai është maqedonas.
Tek Eduart Demiri i ka çuar leket Berti, unë ia kam dhënë këtij maqedonasit lekët. Eduartit nuk i kam dhënë lekë unë. Eduarti i dilte garant vëllai tim për jetën, sikur vëllai im i kishte marrë jetën Fred Shkurtit. Ata bënin poshtërsira si t’i merrnin lekët vëllait tim. Eduart Demirit i kam dhënë 5 milionë lekë, së bashku ia kemi çuar vëllait të Alfred Shkurtit, Zyberit, tek Ura tek lokali i Xhepexhinjve. Vëllai im Bakiu m’i dha lekët dhe më tha t’ua çoja atyre…..Vëllai im ka vdekur në vitin 2005. E ka vrarë Leonard Prifti. Vëllai ndodhej me mua atë natë. Leonardi ishte me kapele dhe ndiqte vëllain tim, ndërkohë që ishte me të dhe një person tjetër, një biond, i cili më ndiqte mua, por nuk më kapi dot”. Gazeta SI