Shtyhet procesi gjyqësor në ngarkim të ish-gjyqtares së Krujës Enkeleda Hoxha dhe 9 të pandehurve të akuzuar për korrupsion.
Shkak është bërë mungesa e të pandehurës Manuela Mallkuci. Në fazën e kostituimit të trupit gjykues është e detyrueshme deklarimi nga vetë e pandehura nëse i qëndronte kërkesës për gjykim të shkurtuar. Seanca e ardhshme do të mbahet më datë 2 nëntor.
Pas përgjimeve të kryera dhe sigurimit të provave të tjera, SPAK e akuzon Hoxhën për veprën “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim. Një ndër bashkëpunëtorët e Hoxhës për nxjerrjen e të dënuarve nga burgu përmes raporteve false dhe vendimeve të pambështetura në ligj, sipas SPAK është edhe avokati Aldo Tabaku. Ky i fundit sipas SPAK bëntë rolin e sekserit mes familjarëve të të dënuarve dhe gjyqtares Hoxha me qëllim lirimin e tyre.
Pjesë e dosjes është edhe sekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallkuci, e cila akuzohet se përgatiste dosjet e gjykimit në atë mënyrë që të dënuarit që kishin paguar të dilnin pikërisht para Hoxhës për gjykim.
GJKKO ka pranuar gjykimin e shkurtuar për ish gjyqtaren e cila aktualisht ndodhet në burg nën hetimin për korrupsion. Ajo akuzohet se ka liruar disa të fortë të dënuar me burgim përjetë. Hoxha u shkarkua nga detyra e gjyqtares më 17 mars dhe u la në burg nga Gjykata e Apelit. Ajo u arrestua pas një superoperacioni të bërë në Gjykatën e Krujës, në seancë gjyqësore teksa po lironte një tjetër të dënuar. Emri i ish-gjyqtares lidhet me lirimin e shumë të dënuarve me burg përjetë, mes tyre edhe Endrit Dokle, Genc Tafilit ai edhe Hekuran Billa, i vrarë disa muaj më parë në Tiranë. be.k/bcnews.al