Kërcënimet aktuale, kërkojnë nga SHBA të ri-formojë aleancat e saj

schedule12:13 - 25 Tetor, 2021

schedule 12:13 - 25 Tetor, 2021

Nga Harry I.Hannah, Atlantic Council

Kur diskutohet mbi bashkëpunimin me aleatët, për SHBA-në nuk vlen më praktika e “biznesit si zakonisht”, sidomos përballë konkurrencës në rritje të Kinës dhe Rusisë, si dhe zgjerimit të kërcënimeve sistematike, rajonale dhe terroriste.

Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara duhet që ta shndërrojnë në një element thelbësor të strategjisë së tyre të sigurisë kombëtar reformimin e aleancave, sidomos në Evropë dhe rajonin e Indo-Paqësorit.

Përpara Luftës së Dytë Botërore, aleancat ishin të përbëra nga dy ose më shumë vende që bashkëpunonin në mënyrë të tillë që t’i kundërviheshin në mënyrë të pavarur një kërcënimi specifik:Shteti A plus shteti B,ofronin aftësinë dhe vlerën totale të aleancës.

Por gjatë Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara filluan t`i konceptojnë ndryshe aleancat e tyre, bazuar në parimin se partnerët e integruar janë më të mëdhenj se sa shuma e pjesëve të tyre të veçanta. Tani, pikat e forta të vendit A plus ato të vendit B, shumëzohen me masën në të cilën partnerët ndërthurin organizatat e tyre ushtarake – përfshirë stafet, rregullat, standardet dhe trajnimin e tyre – dhe ndajnë aftësitë e tyre.

Integrimi është bërë një shumatore e rëndësishme e aftësive të një aleance, ndonëse Shtetet e Bashkuara kanë pasur rezultate të përziera sa i përket asaj se sa larg mund ta çojë atë integrimi. Megjithatë, kjo gjë ka qenë thelbësore për suksesin dhe jetëgjatësinë e NATO-s, siç tregohet edhe nga koalicionet në Ballkan, Irak dhe Afganistan.

Ndërkohë ai është një faktor kyç në aleancat e tjera të mëdha, siç është pakti i mbrojtjes i shpallur së fundmi AUKUS. Ja se si Shtetet e Bashkuara mund të ndërtojnë aleanca më të forta të integruara, të afta për t’u përballur si duhet me Pekinin dhe Moskën:

Duke zgjeruar fuqinë ushtarake

Uashingtoni duhet të angazhojë dukshëm më shumë burime për NATO-n, dhe aleancat e saj dypalëshe në Indo-Paqësor. Dhe ai ka ndërmarrë tashmë disa hapa:Nisma Evropiane e Parandalimit, vendos forcat dhe aftësitë e SHBA-së rreth Evropës për ta penguar Rusinë, ndërsa Nisma e Parandalimit të Paqësorit bën të njëjtën gjë në Indo-Paqësor kundër Kinës.

Por Shtetet e Bashkuara duhet që t’i zgjerojnë këto iniciativa, dhe në të njëjtën kohë të shtojnë praninë e tyre të përhershme në ato rajone. Kjo do të dëshmonte në mënyrë më të fuqishme përkushtimin e SHBA-së për mbrojtjen kolektive, do të forconte parandalimin ushtarak dhe diplomatik kundër Kinës dhe Rusisë, si dhe do të siguronte dhe qetësonte aleatët.

Zgjerimi i pranisë së Shteteve të Bashkuara përpara do t’i ndihmonte gjithashtu Shtetet e Bashkuara të mbronin me besueshmëri aleatët, të cilët mbajnë mbi shpinë barrën e agresionit kinez dhe kërcënimeve ruse, sidomos në Azinë Lindore dhe në Evropën Qendrore dhe atë Lindore.

Mbështetja e ndjeshme e aleatëve në ato rajone do të bënte që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre të integroheshin më shumë, duke u hapur rrugën trajnimeve, stërvitje dhe mundësive të angazhimeve ushtarake më të mëdha dhe më të sofistikuara.

Në këtë proces duhet të përfshihen që gjithë, nga eksperti i thjeshtë i politikave deri tek presidenti Joe Biden

Kërcënimet sistematike si pandemia aktuale e Covid-19 dhe ndryshimet klimatike – por edhe kërcënimet jo-konvencionale në fushat ekonomike, diplomatike, kibernetike dhe social-kulturore-tregojnë sasa shumë kanë nevojë Shtetet e Bashkuara që të zgjerojnë integrimin e aleancës përtej ushtrisë dhe sferës së informacioneve të inteligjencës.

Departamentet dhe agjencitë jo-ushtarake dhe jo-inteligjente, duhet të bashkëpunojnë me homologët e tyre të huaj, ashtu siç bëjnë zakonisht Departamenti i Mbrojtjes, Departamenti i Shtetit dhe komuniteti i inteligjencës.

Po ashtu, qeveria amerikane duhet ta forcojë bashkëpunimin me qeveritë partnere në hartimin e politikave, në lidhje me vendimet për shpërndarjen e burimeve,si dhe për zbatimin e strategjive për ta kundërshtuar gamën e gjerë të sfidave që vijnë nga Kina dhe Rusia,por edhe ndaj kërcënimeve të tjera globale.

Për më tepër, presidenti i SHBA-së, sekretarët e kabinetit dhe këshilltarët e sigurisë kombëtare, duhet ta riparojnë besimin e thyer të aleatëve ndaj Shteteve të Bashkuara si një partner, dhe të zgjerojnë përtej “konsultimeve” periodike diskutimet e tyre me aleatët, duke i përfshirë ata në vendimmarrjen e përditshme.

Kompensimi i gabimeve të së kaluarës në këtë aleancë është shumë thelbësor. Diskutime të tilla mund të kishin parandaluar shtimin e fundit në menaxhimin e aleancës në Afganistan gjatë tërheqjes së forcave ushtarake.

Ndërsa politikë-bërësit do t’i rezistojnë fuqishëm konceptit të marrjes së një qasjeje shumëpalëshe ndaj atyre që ata mendojnë se janë vendime kombëtare, pandemia dëshmon se kërcënimet e ardhshme nuk do të adresohen nga një aparat vendimmarrës vetëm kombëtar, dhe që nxitet vetëm nga shqetësimet e brendshme.

Sikurse shkroi historiani i ekonomisë Adam Tooze në “The New York Times” muajin e kaluar, udhëheqësit botërorë e patën në fillim shumë të vështirë të reagonin në mënyrë efektive ndaj krizës globale të Covid-19, duke treguar“paaftësinë e tyre kolektive për të kuptuar se çfarë do të thotë të qeverisësh” botën e sotme aq shumë të ndërlidhur.

Gjithsesi, disa udhëheqës kryesorë arritën që të parandalojnë një kolaps financiar gjatë pandemisë – me qeveritë dhe bankat qendrore që sinkronizuan përgjigjet e tyre të frymëzuara nga një histori e mëhershme e ndërveprimit të ngushtë.

Vendimmarrësit e SHBA-së duhet të mësojnë prej tyre, dhe të kenë të njëjtën qasje për të punuar me aleatët, në mënyrë që të adresojnë sfidat e sotme të paprecedenta globale, që shtrihen shumë përtej financave ndërkombëtare.

Po ashtu,Shtetet e Bashkuara duhet ta pranojnë se kapaciteti i tyre për të kryer ndryshime globale në lidhje me aleatët po zvogëlohet, dhe se ato do të duhet që të përfshijnë më herët perspektivat dhe pikëpamjet e aleatëve në diskutimin e politikave.

Këto ide variojnë nga ato shumë të realizueshme (rritja e fondeve në mbështetje të aleancave) deri në pothuajse të pamundura (që liderët kombëtarë të mblidhen dhe hartojnë bashkë politikat e tyre).

Por Shtetet e Bashkuara përballen me një telash të paprecedentë, ndërsa fuqia e tyre zvogëlohet, dhe në një kohë që kërcënimet, sfidat dhe burimet e destabilitetit të sotëm vetëm sa rriten. Kjo do të thotë se Uashingtoni do të ketë nevojë që t’i trajtojë aleatët e tij si partnerë më të rëndësishëm për sigurinë e tij kombëtare si kurrë më parë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Harry I.Hannah, zyrtar në pension i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA).

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!