Kina ka përsëritur apelin drejtuar ishullit të Tajvanit për riunifikim. Por krahas ofertës për një bashkim sipas formulës “një vend, dy sisteme”, Pekini ka paralajmëruar se do të përdorë edhe forcën për të mbrojtur interesat e tij.
Presidenti kinez Xi Jinping i ka bërë thirrje popullit të Tajvanit që të pranojë riunifikimin me Kinën, pasi nuk ka alternativë tjetër. Në një fjalim me rastin e 40-vjetorit të rifillimit të marrëdhënieve dypalëshe mes tokës mëmë dhe ishullit, Xi përsëriti thirrjen për një unifikim paqësor sipas parimit “një vend, dy sisteme”.
Por pavarësisht fjalimit të moderuar dhe apelit për paqe, Xi paralajmëroi se Kina ka gjithashtu të drejtën e përdorimit të forcës. Tajvani është një ishull që vetëqeveriset dhe de fakto i pavarur, por që nuk e ka shpallur kurrë zyrtarisht pavarësinë nga Kina.
Pekini e konsideron atë një provincë dhe komentet e presidentit Xi janë në të njëjtën linjë me politikën afatgjatë të Kinës për riunifikimin. Por të mërkurën, presidenti i Tajvanit, Tsai Ing Uen deklaroi se ishulli nuk do ta pranojë kurrë riunifikimin me Kinën në bazë të kushteve të ofruara nga Pekini. Në bazë të formulës “një vend, dy sisteme”, Tajvani mund të ketë të drejtë të vetëqeverisët njësoj si në Hong Kong, por ky parim kundërshtohet nga populli i tij.
Në fjalimin e tij, presidenti Xi insistoi se të dyja palët janë pjesë e së njëjtës familje dhe se përpjekja e Tajvanit për pavarësi është vetëm një rrymë që shkon kundër rrjedhës së historisë dhe që përfundon në rrugë pa krye.
Sidoqoftë, më tepër se sa në aspektin historik, lidershipi aktual kinez e sheh unifikimin me ishullin si një lëvizje gjeo-politike kundër pranisë së Shteteve të Bashkuara në Azinë jug-lindore. Dhe në fjalimin e tij, presidenti Xi paralajmëroi se Pekini do të përdorë forcën kundër fuqive të huaja që ndërhyjnë në politikat e brendshme të tij, ku bën pjesë edhe Tajvani./abcnews.al