Policia e Fierit në bashkëpunim me prokurorinë vijojnë hetimet për zbardhjen e ekzekutimit të biznesmenit Demir Backa 57-vjeç.
Në vendin e ngjarjes u gjetën 16 gëzhoja nga breshëria e autorëve mbi trupin e biznesmenit. “ABC” mëson se brenda makinës së djegur u gjetën një kallashnikov dhe një pistoletë.
Do të jetë e vështirë për grupin hetimor gjetja e provave, pasi makina është shkrumbuar nga flakët. “ABC” ka siguruar pamjet e vendit ku u gjet makina e djegur vetëm pak minuta pas vrasjes në qytetin e Fierit.
Por si u ekzekutua?
Mbrëmjen e djeshme në momentin e atentatit viktima ndodhej në makinën e tij tip “Audi” kur është përballur me një makinë tip “Benz” nga e cila e qëlluan me breshëri plumbash.
Pak minuta pas ngjarjes uniformat blu gjetën në fshatin Daullas të djegur një makinë tip “Benz” e cila dyshohet se u përket autorëve, që dyshohet se janë larguar drejt Vlorës.
Ndërkohë policia ngriti disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Fierit për të bërë të mundur kapjen e autorëve, por deri tani nuk ka asnjë të arrestuar.
Gjithashtu janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë përreth zonës ku ndodhi atentati për të bërë të mundur identifikimin e autorëve./ db/Abcnews.al