“Peshorja” e Kushtetutës, Bushka: Pse duhet zgjatur vettingu, Gjata tregon kushtin: Kontroll

schedule21:56 - 21 Tetor, 2021

schedule 21:56 - 21 Tetor, 2021

PS dhe PD kanë sjellë në tryezë amendamentet e tyre për ndryshimin e disa prej ligjeve të Kushtetutës. Në këtë pikë duket se peshorja e propozimeve anon nga PD e cila ka përgatitur tre drafte që pritet të diskutohen nga palët, konkretisht vettingun e politikanëve, sistemin zgjedhor dhe reformën territoriale. Nga ana tjetër PS ka dorëzuar vetëm një amendament, atë për zgjatjen e afateve të organeve të vettingut.

Në studion e emisionit “Log.” në ABC deputetja e PS Klotilda Bushka argumentoi edhe arsyet e këtij propozimi. Bushka deklaroi se në kohën kur u përcaktuan afatet e organeve të vettingut nuk ishte parashikuar që do godiste një pandemi, e cila sipas saj, ashtu si në çdo fushë tjetër solli vonesa edhe në këtë proces.

Deputetja socialiste deklaroi se deri më tani janë hetuar 430 subjekte ndërkohë që mbeten edhe 370 të tjera, ndërsa paraqiti argumentet e saj pse vettingu nuk mund të vijohet nga KLP dhe KLGJ ashtu siç parashikohet në kushtetutë.

 “Kërkesa e PS për ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e mandateve të vettingut konsiderohet ndërhyrja politike. Nuk mund të jetë teknike. Ndërhyrja që bëhet në kushtetutë ka karakter teknik sepse nuk po sjellin një risi. Që atë që kemi në zbatim ta vijojmë. Nuk do përfundojë në kohë procesi i vettingut dhe duhet të merren masa që përfundojë me të njëjtin standard. Logjika ka qenë që bëhet fjalë për një numër të vogël çështjesh që do mbeteshin pa u shqyrtuar.

Nuk e kishim parashikuar që do kishte një pandemi globale që ndikoi çdo gjë. Vettingu filloi në shkurt të 2018 sepse duhej rekrutuar stafi. Ka pasur elementë teknikë në rezultatin që kemi sot. Janë hetuar 430 subjekte, ngelen edhe rreth 370 subjekte për t’u hetuar. KLP dhe KLGJ kanë detyrë parësore rritjen e efiçensës në gjykata dhe prokurori. Plotësimi i vendeve me gjyqtarë dhe prokurorë janë punë parësore të këshillave”, deklaroi Bushka.

I një mendimi krejt ndryshe ishte demokrati Çlirim Gjata, i cili ndryshimin e kërkuar nga PS nuk quan zgjatje të mandatit për organet e vettingut por heqje të kompetencës që parashikohet për KLP dhe KLGJ. Gjata tha se nëse vettingu do duhet të vazhdojë nga të njëjtat organe, duhet fillimisht të caktohet një nismë ligjore për monitorimin e tyre.

“Kushtetuta është gur themeli. Nuk suvatohet, nuk pikturohet. Nuk i vihet perde. Nuk i shton afatin dy vite organeve të vettingut. Këtë nuk ke nevojë sepse e ka zgjidhjen kushtetuta. Ti nuk po ia shton afatin atij. Ti po ia heq kompetencën KLP-së dhe KLGJ-së. Kemi raportet e avokatit të popullit që thoshte ndërhyni dhe shtoni kapacitetet sepse nuk janë në ritmet e duhura, para se të vinte pandemia. Kemi alarme zyrtare dhe ndërhyrja zyrtare.

Nëse do ishte ndërhyrë më herët do kishim një gjë shumë të mirë sot. Çështja e standardit. Edhe vetë ONM përmend dy standarde në punën e organeve të vettingut dhe i tërheq vëmendjen. Është e provuar se gjyqtarë që kanë lënë në fuqi vendime për dënime të përjetshme janë larguar nga vettingu, ata që i kanë liruar janë në detyrë. A i kontrollon dikush këta organe. Le të marrim një nismë ligjore që të kontrollohet puna pastaj të diskutojmë për shtyrje”, tha Gjata.

Ish-funksionari në qeverisjen e PD, Gjergj Bojaxhi u shpreh se kërkesa për shtyrje të mandatit, tregon që organet e vettingut kanë dështuar. Por sipas tij do të ishte e udhës që ky proces të çohet deri në fund nga të njëjtat institucione dhe me të njëjtin standard.

“Fakti që kërkohet shtyrja e afatit të mandateve, tregon që vettingu ka dështuar sepse nuk ka plotësuar detyruar që ka pasur. Kjo nuk do të thotë që nuk duhet zgjatur. Mirë do ishte që ky proces të vazhdohej merr një standard që të kishte një përgjegjësi”, u shpreh Bojaxhi.

Analisti Mentor Nazarko se reforma në drejtësi nuk ka qenë e saktë, për sa kohë nuk është llogaritur saktë koha që do duhet të merrnin organet e vettingut për të “pastruar” sistemin e drejtësisë.

“Organet e vettingut janë edhe krijesë ndërkombëtare. Në këtë proces, janë duke negociuar për të gjetur zgjidhjen më të mirë. SHBA edhe në respekt të BE, thonë që është një zgjidhje që e kemi konkorduar edhe me BE. Çdo qëndrim i opozitës është legjitim. Opozita është duke kërkuar që edhe ky organ i ri të gjykohet dhe të vendoset në dritën e opinionit publik. Unë gjykoj që duhet të ketë një lloj konsensusi për çështjen e zgjatjes së mandatit. Kjo që po ndodh është konfirmimi i asaj që reforma në drejtësi nuk ka qenë aq e saktë. Duhet të ishte llogaritur koha”, u shpreh Nazarko. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!