Shërbimi sekret turk MIT dhe policia ka kryer një operacion të madh kundër një grupi personash, të cilësuar prej tyre si spiunë të Izraelit. “Hurriyet” bën me dije se grupi, i dyshuar se punonte për MOSSAD-in izraelit, ishte ndjekur prej një viti nga shërbimi sekret turk gjatë aktivitetit të tyre në Turqi.
Operacioni u krye sipas mediave turke në pesë baza të tyret në Stamboll duke arrestuar gjithsej 15 persona, raporton abcnews.al.
Mediat turke pretendojnë se ata ishin rekrutuar nga MOSSAD-i izraelit dhe jepnin informacion atje në lidhje me teknologjinë e Turqisë, aktivitetet e studentëve që vinin nga Palestina, etje.
Të arrestuarit janë dërguar në gjykatë ku pritet të jepet masa e sigurisë.
Kjo lëvizje e Turqisë ndodh në një moment kur në tavolinë është zgjidhja finale për Sirinë, tensionet me Greqinë dhe Qipron si edhe afrimin e qeverisë së Erdoganit më Rusinë.
Më herët në Turqi janë organizuar operacione të ngjashme, ku u tha se janë arrestuar agjentë të huaj, por më pas ata janë përdorur si mjet shkëmbimi në negociatat mes shtetit turk dhe shteteve të tjera për çështje politike.
Pritet tashmë të shihet se cili do të jetë reagimi i Izraelit për arrestimet në fjalë. /abcnews.al