“Ai po përpiqet që t’i bëjë këto lëvizje për të hequr vëmendjen e tij”.
Është ky mendimi i deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Brahimllari, pas vendimeve të Ramnës për të ndryshuar një pjesë të ministrave. Megjithatë, sipas tij edhe kjo lëvizje nuk është e duhura, pasi emrat e rinj që do të bëjnë kabinetin nuk janë as profesionistë në fushat e tyre përkatëse.
“Sot kemi një kabinet që nuk është kabinet. Këta nuk bëjnë dot qeverinë, nuk e drejtojnë dot Shqipërinë në sfidat që ka vendi. Nuk janë as profesionistë në fushat përkatëse. Kemi Niko Peleshin me Bledi Cuçin për shkak të intersave të Edi Ramës”, u shpreh deputeti gjatë një interviste në ABC News.
Më tej, ai shtoi se qeveria është privatizuar nga Rama. Madje, për Brahimllarin kjo lëvizje e kryeministrit është për t’i dhënë kohë vetes, pasi ai e ka kuptuar që qeverisja po i kufizohet.
“Edi Rama e ka privatizuar këtë qeverisje. Sot shqiptarët do ndiheshin më krenarë nëse do kishim një kabinet me njerëz të fortë. Ky nuk i vendos këta sepse nuk ka reforma. Nuk vendosi figura të forta. E shkatërroi edhe atë pak PS që ka ngelur. E ktheu te oligarkia, te interesi personal.
Edi Rama është në grahmën e tij të fundit. Ai kërkon kohë. Është i vetëdijshëm që qeverisja e tij po kufizohet. Veprimi që bëri është për t’i dhënë kohë në qeverisjen e vendit”, u shpreh Brahimllari.
Arsyeja kryesore e këtyre vendimeve sipas deputetit është protesta e studentëve. Në Janar theksoi ai, qeveria do të marrë goditjen përfundimtare.
“Qartazi që protesta e studentëve është goditja më e rëndë që Rama ka marrë. Nuk është një shuplakë. Është një grusht shumë i rëndë dhe në Janar, ai do të marrë goditjen përfundimtare”, u shpreh ai./abcnews.al