Në Gjilan ka një garë të fortë mes kandidatit të LDK-së Lutfi Haziri dhe atij të Vetëvendosjes Alban Hyseni.
Për momentin nga kutitë e para që janë numëruar kryeson kandidati i Albin Kurtit, por Lutfi Haziri ka shpallur fitoren në Gjilan. Ai u shpreh se u dëshmua se nuk ka koalicione joparimore që mund ta thyejnë koalicionin e tij me qytetarët e Gjilanit.
“Përtej kësaj fotografie, ju faleminderit shumë të gjithë atyre që kanë votuar për rikthim të madh të LDK-së, si forcë e parë politike në Gjilan dhe për vazhdimin e besimit edhe për katër vitet e ardhshme ndaj meje si Kryetar. Ju faleminderit shumë. Do të mbetem gjithmonë, Luta juaj”, ka shkruar ai.
Por shefja e shtabit zgjedhor të LVV-së në Gjilan, Arjeta Rexhepi ka thënë se sipas rezultateve po prijnë në këtë komunë. “Nga terreni dhe nga rezultatet që i kemi marrë deri tash tregojnë që LVV prin në Gjilan. Kuptohet që qytetarët kanë dhënë besimin e tyre brenda kutive të votimit.
Dhe kemi komisionerë dhe vëzhgues që kanë filluar numrin e votimit kështu që presim edhe pak një rezultat më përfundimtar”, ka thënë ajo.
Më tej, ajo shtoi se LVV do të fitojë në këtë komunë pa balotazh. “Ka të dhëna të ndryshme ku tregon një diferencë, por ajo që është më e rëndësishmja prin edhe e rëndësishmja është që Gjilani po e donë ndryshimin… do të jetë një gjasë shumë e mirë që të mos kemi balotazh fare”, ka shtuar ajo./ Koha