Emisioni Vetting- Nacionalizmi, streha e fundit e politikanëve
Retorikat patriotike a nacionaliste rrallëherë mbahen nga politikanët në interes të përgjithshëm, madje shpesh shkojnë kundër tij. Kështu, përpos asaj që do të citonte kryeministri Rama, pasi bëri deklaratën për bashkim me Kosovën, se “jeta nuk është vetëm ajo që ndodh ndërsa ne bëjmë plane të tjera”, jeta është ajo që ndodh kur nuk përmbushen planet e projektet e përcaktuara, së pari mes vetit. Dhe pas frazave patriotike për bashkim me Kosovën, përfaqësi të përbashkët diplomatike a presidenciale, ka detyra shtëpie të pakryera, marrëveshje të papërmbushura, konflikte e interesa tregtare të pazgjidhura. Kufijtë, që Rama premtoi në vitin 2013 se do të zhdukeshin, sot janë bërë më të dukshëm. Shumica e marrëveshjeve dypalëshe janë sot vetëm si akte formale të pajetësuara.
Deri edhe Rruga e Kombit, e konsideruar si një nga ëndrrat më të mëdha të projektuara mes Kosovës dhe Shqipërisë, do të kthehej në një mollë “sherri” mes dy vendeve. E propozuar nga Berisha që në vitin 1996, dhe e çuar përpara si ide nga Pandeli Majko në vitet pasardhëse, ndërtimi i saj i nisur në vitin 2007 do shoqërohej me akuza të vazhdueshme për korrupsion.
Ndonëse rruga do të përshpejtonte kalimin e shqiptarëve në të dy shtetet, tarifat e larta do të ishin “shkopinjtë e radhës nën rrota” që do të krijonin krisje të dukshme besimi, por edhe bashkëpunimi tregtar. Ramush Haradinaj, do të theksonte faktin, se nëse qëllimet e Ramës do të ishin vërtet atdhetare ndaj Koovës, ai do t’i ulte taksat, kjo edhe për faktin se rruga nuk ishte në standartet ndërkombëtare…Por, Rama do ta refuzonte një kërkesë të tillë duke u shprehur se “në kohë paqeje ,patriotizëm, do të thoshte të paguaje taksat”.
Mirëpo, përveç zgjidhjes së mohuar të uljes së tarifave, shqiptarëve u mungonte edhe një sqarim për rivlerësimin e kësaj rruge. Sipas politologut Ermal Hasimja, ndonëse pagesa e taksave të rrugës është e detyrueshme për mirëmbajtjen e saj, qeveria i detyrohet një shpjegim qytetarëve shqiptar lidhur me kostot që janë 3 herë më të larta se rrugët europiane…
Siç do të thoshte edhe kryeministri Rama në fillim të mandatit të tij, sot kufijtë fizikë mes Kosovës e Shqipërisë, nuk janë problemi. Mes dy vendeve, ka kufij e hendeqe të mëdha ekonomike, kundrejt unifikimit e lehtësirave të shkëmbimit tregtar të premtuar në fushata elektorale apo në 6 mbledhjet e mbajtura mes dy qeverive. Siç pasqyrohet edhe në studimin e RIINVEST dhe GAP “Potenciali tregtar Kosovë-Shqipëri” të publikuar në vitin 2020 janë një sërë barrierash tregtare dhe ngërçesh që nuk lejojnë zbatimin e disa prej marrëveshjeve bilaterale. Nga 53 objektiva të marrëveshjeve tregtare, në raport theksohet se 19 prej tyre janë të plotësuara pjesërisht, 5 ende të paplotësuara, ndërsa për 3 nuk kanë mundur të kenë transparencë e një përgjigje.
Sipas tëdhënave të GAP, Shqipëria, renditet fill pas Serbisë, për barrierat jotarifore të raportuara nga bizneset kosovare. Pakënaqësitë e eksportuesve të Kosovës, që e rendisin Shqipërinë të dytën pas shtetit “armik”, lidhen sipas raportit me arsye si çmimet referente, akciza diskriminuese apo mjedisi i vështirë i të të bërit biznes. Absurdin për noterizimin e analizës fitosanitare për çdo kopje që shoqëron maune të ndryshme të së njëjtës dërgesë me produkte ushqimorë, eksportuesit kosovarë në Shqipëri, nuk e kanë hasur në asnjë vend në rajon e madje as në vendet të tjera të BE, përveçse në Shqipëri, siç theksohet në raport. Po aq shqetësuese në këto vite ka qenë kostoja për skanerin në doganë, që ndërsa në vendet e tjera duhet të bëhej vetëm në rastet kur sistemi paraqet rrezik të lartë, në Shqipëri, duhet të bëhej për të gjitha eksportet duke u tarifuar të gjitha bizneseve një kosto prej afro 2 milionë eurosh në vit. Krahas tarifave të larta për kalimin në autostradën Milot-Morinë, në studimin e GAP theksohet ndër të tjera se biznese të ndryshme kanë raportuar tentativat shkeljet që janë bërë në doganë, ndërsa janë bllokuar e vonuar qëllimisht për orë të tëra me qëllim të dhënies së ryshfetit.
Në këto rrethana përpjekjet e liderëve politikë për ‘ti ofruar popullit dhe ndërkombëtarëve një fotografi të Shqipërisë e Kosovës së përbashkuar, duken jo si përpjekje patriotike, por lëvizje tinëzare nacionaliste për t’i shpëtuar llogaridhënies për detyrat e papërmbushura. /Abcnews.al