Elezi: S’ka krizë energjetike, por kolaps financiar, KESH shiti energji me 20 euro, ERE vegjeton prej 2013

schedule20:02 - 8 Tetor, 2021

schedule 20:02 - 8 Tetor, 2021

Ish drejtori Juridik i Entit Rregullator të Energjisë Elektrike Eduard Elezi deklaroi në Radarin Informativ në ABC se aktualisht në vend nuk ka krizë energjetike por kolaps financiar të tre kompanive të operojnë në treg. Sipas Elezit, në muajin gusht Fierza ka qenë mbi kuotën normale, duke theksuar se deri në mes të shtatorit është eksportuar energji elektrike.

Elezi deklaroi se në një kohë kur bursat rajonale kanë qenë mbi 130 euro, KESH ka shitur energji elektrike me 20-30 euro. Nga ana tjetër OSHEE ka blerë energji me një çmim më të shtrenjtë.

“Atë që thotë kryeministri për krizë energjetike nuk e pranoj. Është një kolaps financiar i tre kompanive. Prodhimi ka arritur kulmin në prodhim. Nuk ka import këtë vit në bilancin energjetik. Problematika është, siç thonë, kolapsi financiar. Ka një problematikë në pjesën e shitjes dhe blerjes së energjisë. Në gusht Fierza ka qenë mbi kuotë, 296 metra, kuota maksimale e lejuar.

Në dy muaj, korrik deri në mes shtator është eksportuar energji elektrike. Bursat rajonale kanë qenë mbi 130 euro. KESH ka shitur me 20-30  euro. Në të njëjtën kohë OSHE ka blerë energji. Mund të ketë blerë më shumë apo më pak, por është e njëjta kohë, kur KESH shet, OSHEE blen me çmime të larta”, u shpreh ai.

Ai u shpreh energjia nuk mungon, por shtoi se kompanitë nuk marrin dot para borxh për blerë sasinë që nevojitet. Elezi tha se humbjet janë 34% duke i bërë thirrjet qeverisë të bëjë transparencë në lidhje me këtë fakt.

“Ky nuk është vetëm një dëm financiar. Dëmi vazhdon. Nuk ka krizë energjetike. Energji ka. Është po ajo kërkesë e përvitshme dhe historike. Nuk mungon energjia. Kompanitë nuk kanë para të blejnë energji dhe kanë edhe një problematikë tjetër sepse nuk mund të marrin para borxh. Bursat kanë konjokturë tregu. Konjoktura e tregut dhe problematika që ka Anglia me vendet nordike nuk ka të bëjë me tregun shqiptar apo në rajon. Kosova gjithë prodhimin e energjisë e ka përmes qymyrit.  Gjithë kohës ka pasur konjoktura. Këto nuk janë kriza energjetike. Nuk mund të thuash se mungon energjia elektrike në Angli. Anglia është një shtet me kapacitete të mëdha.

Po të ishte menaxhuar mirë pjesa e kaskadës së Drinit, mund të kishte rezervë në Fierzë dhe të uleshin mundësitë e importimit të energjisë për humbjet. Të lihej propaganda për humbjen 20%. Humbjet janë mbi 34%. Kjo duhet të deklarohet, jo të fshihet. OSHEE nuk ka bërë investime aty ku duhet. Ato investime për liberalizimin e tregut nuk i ka realizuar asnjëri”, u shpreh Elezi.

Ndërsa ERE (Enti Rregullator i Energjisë), sipas Elezit nuk është më funksional si institucion, pasi me ndryshimin e rregullores prej vitit 2019, ajo nuk jep më miratime në lidhje me investimet që bën OSHEE.

“OSHEE nuk merr më miratim nga ERE, vetëm deklaron sa investime do bëjë. ERE ka që në 2013 që vegjeton. Prej 2019 ka ndryshuar rregullorja. Enti rregullator e merr shumën dhe e konsideron në tarifë”, tha Elezi.

Ai deklaroi se shteti duhet të krijojë një institucion për monitorimin e kompanive që operojnë në Shqipëri në tregon e energjisë elektrike, duke theksuar se nuk duhet synuar menjëherë rritja e çmimit të energjisë elektrike, por shpërndarja e fondeve.

“Këto tre kompani janë kompani me aksioner shtetin shqiptar, Asnjë nga veprimet e tyre nuk duhet të bëhen ashtu si bëhen sot përmes tenderat, Shteti duhet të gjejë një institucion ose të krijojë një strukturë për t’i mbajtur në monitorim. Të kenë një mbikëqyrës tregu. Enti rregullator nuk duhet të vegjetojë. Nuk ka bërë asnjë monitorim, vetëm një raport vjetor, “jemi mirë, do bëhemi më mirë”.

Ligjërisht fjalën e fundit për rritjen e energjisë elektrike duhet ta thotë enti rregullator. Ata nuk duhet të synojnë direkt te rritja e çmimit. Qeveria duhet të mendojë çfarë duhet të bëjë për të kaluar këtë 3-mujor. Nëse bëhet gjithçka me vendim qeverie, që çdo lëvizje të jetë e kontrolluar duhet ruajtur kjo. Ky vendim që ka marrë qeveria sot duhet të jetë për një kohë të caktuar. Nuk duhet të shpallë rritje çmimesh por sa fonde do shpërndahen për kompanitë. Duhet parë edhe mundësia e kredimarrjes duke hyrë shteti garant për kompanitë që të marrin borxh si biznese. Enti rregullator të marrë reformat e duhura që në të ardhmen të ecet në bazë të tyre”, deklaroi ai. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!