Një grup fermerësh në zonën e Myzeqesë protestuan pak ditë më parë se domatja që kanë kultivuar në sera është kalbur për shkak se fara ishte e skaduar.
Bëhet fjalë për farën “Ozgan” me origjinë nga Turqia që ka hyrë në Shqipëri përmes grosistëve. Ata akuzuan shtetin se duhet të jetë vigjilent dhe të kontrollojë të gjitha farërat që futen në vend, ndërsa kërkuan dëmshpërblim nga Ministria e Bujqësisë.
Zv.ministri i Bujqësisë Dhimo Kote u shpreh në emisionin “Bardh a Zi” se është në dijeni të problemit. Ai tha se janë bërë analizat dhe ditën e nesërme do të dalë përgjigja përfundimtare se kush janë përgjegjësit.
“Unë e njoh situatën cep më cep në të gjithë territorin. Për këtë rast, kjo farë që fermerët e kanë ngritur, “Ozgan” e mbjellë vitin e kaluar, është kontrolluar në vend nga specialistët, me analiza me të gjitha.
Sot kanë dalë analizat dhe nesër do të dalë përfundimisht përgjegjësi, është fara, toka apo koka” tha Kote./ Abcnews.al