I sekuestrohen pasuritë, kush është “Juli i Pashakos”, rivali i Aldo Bares

schedule17:16 - 7 Tetor, 2021

schedule 17:16 - 7 Tetor, 2021

37 vjeçarit Julian Sulo i janë sekuestruar sot mbi 70 mijë euro dhe një makinë luksoze që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal. Sulo nuk është person i panjohur për policinë. Ai njihet në Lushnjë edhe si “Juli i Pashakos”.

Ai ka qenë një nga personat e shoqëruar si të dyshuar për masakrën në Lushnjë, ku u ekzekutuan Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, miq të Xhulio Shkurtit, nipit të Aldo Bares. Sula u vetëdorëzua në polici pas vrasjes së dy të rinjve por u lirua më pas për mungesë provash.

“Juli i Pashakos” është i përfshirë edhe në një tjetër ngjarje më 11 qershor 2016 kur u plagos pas ndeshjes Shqipëri-Zvicër në një pikë bastesh, në lagjen “Skënder Libohova”. Lokali në fjalë ishte në pronësi të Arjan Aliços, i njohur ndryshe si “Arti i Braçes” një 53-vjeçar, i dënuar më parë për vrasje dhe që njihet si një nga ushtarët e Aldo Bares. 37 vjeçari u qëllua me thikë rreth 20 herë dhe me leva aq sa u la si i vdekur buzë rruge dhe u shpëtua nga një kalimtar i rastit.

Lexo edhe: I akuzuar për pastrim parash, sekuestrohen mbi 70 mijë euro në Lushnje si dhe një “Porsche”

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë ka vendosur sekuestrimin e dy pasurive të Sulos, konkretisht të shumës monetare prej 70 060 (shtatëdhjetëmijë e gjashtëdhjetë) Euro (të depozituara në ruajtje në Bankë) si dhe të makinës tip “Porsche Cayanne”. Prokuroria po kryen hetime për Sulon dhe pasuritë në emër të të afërmve të tij, pasi dyshohet se i kanë vënë përmes aktiviteteve të paligjshme./be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!