Kisha katolike në Francë rrezikon falimentimin pas skandalit të pedofilisë që e ka përfshirë këto ditë. “Duhet të paguani për krimet tuaja” deklaroi François Devaux, president i një shoqate të viktimave të priftërinjve të pedofilisë. Komisioni i hetimit konfirmoi se pas një pune dy vjeçare për dhunën seksuale të kryer nga priftërinjtë, që nga 1950 e deri më sot, janë 216 mijë viktima.
Por numri shkon deri në 330 mijë duke numëruar dhe abuzimet nga laikët që punonin në ambientet fetare. Një shifër e frikshme nga këndvështrimi njerëzor dhe moral, që detyroi dhe Papa Franceskon të shprehte dhimbje për viktimat
Procesi për zbulimin e abuzimeve u nis nga konferencat e peshkopëve dhe kongregacionet, të cilat tashmë duhet të përgjigjen për shok-un e shkaktuar, si dhe të marrin masa për të parandaluar abuzime të tjera në të ardhmen. Disa muaj më parë peshkopët francezë konfirmuan krijimin e një fondi prej pesë milion eurosh për viktimat e abuzimeve.
Dëmshpërblimet ekonomike rrezikojnë të çojnë kishën katolike në falimentim. Me 10 mijë euro për secilin nga 216 mijë viktimat, do të duhen 2 miliard euro. Gjithashtu duhet theksuar se donacionet e besimtarëve nuk mund të përdoren për këtë qëllim, ndaj duhet gjetur burime të reja në trashëgiminë e Kishës.
Presidenti francez Macron nga ana e tij lavdëroi shpirtin e përgjegjësisë së Kishës e cila vendosi të përballojë hapur skandalin. Ai shtoi se e vërteta dhe dëmshpërblimet janë domosdoshmëri./abcnews.al