Plas Covid-i te Shqipëria, mbrojtësi dhe fizioterapisti dalin pozitivë

schedule10:12 - 6 Tetor, 2021

schedule 10:12 - 6 Tetor, 2021

Erion Hoxhallari dhe Arzen Voci, të dy nga Tirana, kanë dalë me COVID-19 dhe FSHF sot ka dalë me njoftim zyrtar. Një ditë më parë edhe Marsel Ismajlgeci, po i bardhebluve, doli pozitiv te Shqipëria U21.

NJOFTIMI  – Kombëtarja shqiptare ka nisur që prej ditës së hënë grumbullimin dhe stërvitjet intensive në kuadër të dy sfidave të rëndësishme ndaj Hungarisë dhe Polonisë, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije për mediat dhe opinionin publik se ditën e djeshme është larguar nga grumbullimi mbrojtësi Erjon Hoxhallari si edhe fizioterapisti i Kombëtares, Arzen Voci, të cilët pas testeve të kryera kanë rezultuar pozitivë me Covid-19.

Hoxhallari dhe Voci janë larguar menjëherë nga hoteli ku gjenden të grumbulluar për t’u karantinuar dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Kësisoj, Hoxhallari nuk do të jetë pjesë e Kombëtares për dy ndeshjet që cilësohen si vendimtare për Shqipërinë në ëndrrën për të prekur zonën e play-off-it, ku fillimisht do të luajnë më 9 tetor ndaj Hungarisë në transfertë, ndërsa tre ditë më vonë, më 12 tetor do të presin Poloninë në stadiumin “Air Albania”. / abcnews.al