Dusan Vlahovic nuk do të rinovojë me Fiorentinë. Klubi i Serie A ka dalë me deklaratë ditën e sotme dhe presidenti Rocco Commisso rrëfen krejt situatën, duke nisur nga oferta dhe siguria që lojtari për sa kohë do mbajë fanellën vjollcë do të jap maksimumin e tij.
“U kam premtuar fansave që kur kam ardhur se do jem i sinqertë me ta dhe nuk do të bëj premtime që nuk mund t’i mbaj. Doja të flisja për rinovimin me Vlahovic. Fioentina i bëri një ofertë shumë të rëndësishme, një kontratë që e bënte lojtarin më të paguar në historinë e klubit.
Oferta jonë është përmirësuar disa herë për të plotësuar kërkesat e Dusan dhe përfaqesusve të tij. Pavarësisht përpjekjeve tona, propozimi i rinovimit nuk u pranua. Jam përpjekur të gjej një zgjidhje që të lumturojë djalin dhe klubin, por për fat të keq përpjekja jonë nuk është shpërblyer.
E vetmja gjë që na mbetet është që të respektojmë vullnetin e lojtarit dhe të gjejmë një zgjidhje të mundshme dhe të përshtatshme, që të vazhdojmë këtë sezon emocionues.
Në çdo rast lojtari ka një kontratë të vlefshme për 21 muajt e ardhshëm dhe ne jemi të sigurt që ai do e ndihmojë skuadrën për të arritur objektivat me golat e tij. Që në fillim ai ka treguar respekt për tifozët, shokët e skuadrës, trajnerin dhe klubin tonë”, është shprehur presidenti i Fiorentinës. / abcnews.al