Çfarë bënte në Vermosh? Avioni i rrëzuar pa asnjë shenjë dalluese, “zhduken” piloti e pasagjeri

schedule14:33 - 4 Tetor, 2021

schedule 14:33 - 4 Tetor, 2021

Një avion i vogël është rrëzuar paraditen e sotme në zonën e Vermoshit, në mënyrë të mistershme. Raportohet se ky avion nuk ka asnjë shenjë dalluese për të verifikuar se nga vinte apo kujt i përkiste, çka do të thotë që mund të jetë i paregjistruar ose mund ti jenë fshirë të dhënat.

Banorët e zonës raportojnë se avioni fillimisht është parë rreth orës 09:00 ku bëri një ulje dhe raportohet se qëndroi për rreth 1 orë. Pas kësaj banorët deklarojnë se avioni tentoi të ngrihej sërish në ajër po hasi në disa pemë e për pasojë u detyrua që të ulej sërish  në një livadh në Vermosh ku edhe nuk u çua më.

“Disa minuta më vonë, në vendin e ngjarjes ka ardhur një fuoristradë dhe ka marrë dy personat që ndodheshin në aeroplan. Këta në makinë nuk lejuan që banorët e fshatit të afroheshin,” kështu është shprehur kryeplaku i Klemendit Prek Vata.

Policia është duke shkuar në vendin e ngjarjes. Ndërkohë në lidhje me këtë incident ka reaguar për ABC dhe ministria e Mbrojtjes, e cila thekson se “mjeti nuk është i joni”.  Fatmirësisht nuk ka asnjë të lënduar nga avioni, por nuk dihet se ku ndodhen piloti dhe nëse pasagjeri të cilët raportohet se u larguan me një fuoristradë që erdhi ti merrte. Ndërkaq nuk ka asnjë informacion në lidhje me shkaqet e kësaj ulje.

Ulja e këtij avioni është si një skenë që na rikthen në vëmendje rastet e avionëve të rënë në Durrës dhe Lushnje, ku u zbulua se po përdoreshin për trafik kanabisi./abcnews.al/