“Guri më këputi këmbën”, minatori: Punova me protezë për 20 mijë lekë, ma zbritën pensionin pas 40 vitesh punë

schedule20:18 - 2 Tetor, 2021

schedule 20:18 - 2 Tetor, 2021

Emisioni Vetting- Bulqiza si ëndërr e keqe

Ka etje për drejtësi në Bulqizë. Drejtësia kërkohet më së shumti nga familjarët e minatorëve që nuk janë më, por edhe nga invalidët e gjymtuar në miniera, që i takon në çdo rrugicë. Ndër ta është edhe Haxhi Loshi që ndonëse ka humbur njërën këmbë gjatë punës në sistemin komunist, është detyruar të punojë në miniera për katër dekada, për një pagë prej 20 mijë lekësh.  Teksa e rrëfen ngjarjen për “Vetting” kapërdin lotët, e zëri i mbytet në rrëfimin e trishtë.

“Më ra guri nga lart, më bllokoi dhe më këputi m’u në mes të kockës këmbën… Mbeti këmba aty… Pasi preva këmbën ndenja në shtëpi dy vjet…shkova bleva një protezë për këmbën në Tiranë dhe u ktheva në punë me të drejtë rroge”.

Për Loshin, të riniste punën në sipërfaqe të minierave ishte padyshim një stërmundim mbinjerëzor i imponuar prej varfërisë. Po aq i imponuar edhe prej qeverive, që në mungesë të një trajtimi financiar të mjaftueshëm si invalid, e detyruan të rikthehej me një këmbë të prerë në minierë.

“Ishte shumë e vështirë, se me këmbë me protezë ngjitu lart e poshtë, me turne..”, rrëfen ish minatori.

Ndërsa minatorët shpresonin se me kalimin e viteve politikat do të viheshin në shërbim të sigurisë e jetës së tyre, tregojnw se politikanët u pozicionuan nw krahw tw pronarëve. Bashkëshortja e Haxhiut, Fatbardhe, kujton se si në vitet 2000, pikërisht prej statusit të invalidit bashkëshortin e saj e lanë papunë.

“E kanë lënë pa punë totalisht dhe punoi nëpër privat se halli e nxorri me punu privatisht.. Kamën e ka lënë në minierë krejt. Me një këmbë ka shku në Greqi dhe ka punu… Ka shku në Greqi, rrugës nëpër male…”, tregon Fatbardha e përlotur.

Të dy bashkëshortët, ish minatorë, janë tanimë në moshë pensioni, por mungesa e statusit dhe indiferenca e qeverisë, i lë të braktisur edhe në këtë periudhë të brishtë të jetës së tyre. Qeveria i braktisi punonjësit që kanë punuar në miniera në nëntokë  dhe ata të metalurgjisë në 2017-ën kur i përjashtuan nga ligji 8/2017 “Për statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit”. Ligj që nuk gjeti asnjëherë zbatim deri sa u zëvendësua nga ligji 29/2019, në të cilën fasada për t’u dhënë një dorë minatorëve u “bojatis” me rrengjet e ligjeve të vjetra. Shtojca për pensionin e pleqërisë dhe të invaliditetit, përfshin një shtesë prej 1 përqind për çdo vit pune të siguruar, kur punonjësi ka të paktën 6 vjet në miniera. Nga miniatorët e Bulqizës prej nëntorit të vitit 2019 e deri në 11 gusht të vitit 2021 kanë përfituar  vetëm 798 minatorë, ndërsa në qarkun e Dibrës 1581.

“Kur dola në pension, dorëzova letrat në Peshkopi dhe ma nxorën pensionin 270 mijë lekë. Pas rreth tetë muajsh ma zbritën… Më vunë një million lekë gjobë… se t’i kemi dhënë gabim, thanë… Unë paguaj akoma atë gjobë, sipas atyre të Peshkopisë”, tregon Loshi.

Por çfarë përfitojnë konkretisht minatorët përmes fondit suplementar të vënë në dispozicion që ka edhe 8 vite “jetë”? Në rastin më të mirë nëse një punonjës ka punuar në miniera për 30 vjet, pensioni i pleqërisë rritet me 3600 lekë. Shumë kjo me të cilën minatorët nuk mund të sigurojnë as ilaçet, apo të mbulojnë taksat mujore. Minatorët me të cilët biseduam tregojnë se ndonëse kanë më shumë se 30 vjet punë pensioni i tyre nuk i kapërcen 24 mijë lekë .

“Mua më doli pensioni shumë i vogël, sepse më thanë se duhet të kisha 37 vjet punë. Unë nuk i kisha 37 vjet punë, kisha 33 vjet e katër muaj… pensioni më doli 214 mijë lekë dhe ato nuk më dalin as për ilaçe, se jam sëmurë”, rrëfen ish minatorja. /Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!