Ministria e Shëndetësisë ka dhënë detaje për 500 mijë vaksinat që priten të mbërrijnë brenda dhjetorit të këtij viti. Në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Manastirliu tha se këto vaksina pritet që të vijnë nga marrëveshja e dytë e arritur me kompaninë Pfizer. Këto vaksina do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit 6 milion dollarë.
“Teksti i marrëveshjes që miratojmë sot i hap rrugën nënshkrimit të marrëveshjes. Këto vaksina pritet të vijnë nga marrëveshja e dytë tashmë me Pfizer. Fakti që po sjellim që amendim bëhet për arsye se kjo marrëveshje nuk ka ndryshime. Vjen me një sasi plus 500 mijë vaksina dhe afati i lëvrimit të tyre është brenda dhjetorit të këtij viti.
Me këto vaksina sigurojmë rritjen e mbulesës së vaksinimit të popullatës. Synimi i qeverisë shqiptare është ta realizojë këtë sa më shpejt. E dimë çfarë problematikash kanë pasur vendet e rajonit. Në Shqipëri kemi më shumë se 2 milion doza vaksinash të mbërritura,” u shpreh ministrja.
Manastirliu tha gjithashtu se pritet që së shpejti të mbërrijnë të tjera doza me anë të mekanizmit Covax.
“Në tetor me anë të Covax në tetor do të kemi 188 mijë doza vaksine, ku Shqipëria ka parapaguar 4 milion dollarë. Po nëpërmjet Covax pritet të mbërrijnë edhe 370 mijë vaksina të planifikuara brenda këtij viti,” u shpreh ajo. g.v/abcnews.al