Mbledhja e parë e Komisionit të Arsimit nuk është zhvilluar sot, pasi mazhoranca nuk është paraqitur. Në një deklaratë për mediat jashtë Kryesisë së Kuvendit, kryetari i këtij komisioni, Agron Gjekmarkaj tha se mazhoranca nuk do ballafaqim me opozitën.
“Mazhoranca nuk u paraqit, nuk do ballafaqim me opozitën. Kukullat e Edi Ramës nuk kanë fuqi të përballen me opozitën. nuk duan të diskutojnë për fëmijët, për shkollat që mbyllen. Nuk duan të flasin për dy orë mësim në ditë. Çështja është që kjo është një qeveri që ka dalë nga masakra zgjedhore e 25 prillit. Opozita është këtu për të ruajtur ligjet e vendit. Opozita përfaqëson shumicën e qytetarëve shqiptare sepse e dimë që zgjedhjet janë masakruar. Ne do të jemi këtu në betejë me qeverinë. Të jeni të sigurt se nuk do ta ketë të lehtë Edi Rama përballjen me opozitën,” u shpreh Gjekmarkaj.
Një mesazh ka edhe për kryetaren e Kuvendit Lindita Nikollën, të cilës i tregon shembujt që duhet të ndjekë: “I bëj thirrje kryetares së Parlamentit të mos bëhet certifikuese e dëshirave të Edi Ramës, por të ndjekë shembujt më të mirë të parlamentarizmit shqiptar, Pjetër Arbnorin, Servet Pëllumbin.” g.v/abcnews.al