Këshilltarët e Partisë Socialiste në bashkinë e Skraparit nuk e kanë miratuar projekt buxhetin për vitin e ardhshëm. Në një mbledhje që është shoqëruar me debate, me nëntë vota socialistët rrëzuan buxhetin me pretendimin se numri i punonjësve të bashkisë është i lartë, ndërkohë që jo të gjithë punonjësit paguhen me një nivel pagash.
Këshilltarët e PS, u shprehën kundër me argumentin se pa miratimin e ri të numrit të punonjësve të bashkisë dhe institucioneve në varësi të saj nuk mund të miratohej buxheti.
Nga ana tjetër kryetari i bashkisë së Skraparit Nesim Spahiu u shpreh se vendimi i marre është krejtësisht politik. Sipas tij bashkia e Skraparit me nëntë qendra administrative, 105 fshatra dhe me sipërfaqe pyjesh ka nevojë për më shumë punonjës./abcnews.al